Botë

Paqja në Lindjen e Mesme, Trump zotohet për plan të ri

24.01.2020 11:00

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se planifikon të prezantojë planin e tij për paqe në Lindje të Mesme më 28 janar...

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se planifikon të prezantojë planin e tij për paqe në Lindje të Mesme më 28 janar, në ditën kur është raportuar se do të takohet me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në Uashington. Palestinezët, që nuk kanë qenë të ftuar në Shtëpinë e Bardhë në takimin me Netanyahun, kanë dënuar menjëherë këtë njoftim.
 
Zëdhënësi i presidentit të autoritetit palestinez, Mahmoud Abbas, ka thënë se “kanë paralajmëruar Izraelin dhe administratën amerikane që mos të kalojnë linjat e kuqe”.
 
Palestinezët janë zemëruar edhe nga ajo që e konsiderojnë si qasje pro-izraelite e Trumpit, duke përfshirë vendimin për transferim të Ambasadës amerikane në Izreal, nga Tel Avivi në Jerusalem. Palestinezët kërkojnë që Jerusalemi lindor të jetë kryeqyteti i tyre në të ardhmen. Presidenti Trump po ashtu nuk ka përkrahur zgjidhjen me dy shtete për konfliktin disa-dekadësh, një formulë ndërkombëtare që do të mund të rezultonte me funksionimin e shtetit palestinez dhe Izraelit.