Maqedoni
Presidenti i KE-së vizitë në Tiranë dhe Shkup
24.01.2020 11:26
Një javë pas komisionerit për zgjerim, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut e viziton sot presidenti i Këshillit Evropian....

Një javë pas komisionerit për zgjerim, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut e viziton sot presidenti i Këshillit Evropian, Sharl Mishel. Ai do të takojë kryeministrin shqiptar, Edi Rama, dhe më tej do të udhëtojë drejt Shkupit. Vizita e Michel në Tiranë dhe Shkup vjen para zhvillimit të Konferencës së Donatorëve për Shqipërinë dhe vendimit për negociatat.
Pas takimit me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, dhe pas deklarimeve të përbashkëta para mediave, kreu i Këshillit të Europës, Sharl Mishel, zbarkon në Shkup, ku pritet të realizojë takim me presidentin e shtetit, Stevo Pendarovski. Vizita e Mishel në Maqedoninë e Veriut ndodh një javë pas vizitës së eurokomisarit për politikë fqinjësore dhe negociata, Oliver Varheji, dhe pritshmëritë për marrjen e vendimit për fillimin e negociatave me BE-në.
Kryetari i Këshillit të Evropës, Sharl Mishel, sipas agjendës, është paraparë të realizojë takim edhe me kryeministrin teknik, Oliver Spasovskin, kreun e LSDM-së, Zoran Zaev, dhe me liderin e opozitës, Hristijan Mickovskin. Në Bruksel po përgatitet metodologjia e re e zgjerimit, e vendosur si kusht nga Franca për të miratuar fillimin e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Takimi i ardhshëm i Këshillit Evropian, ku pritet edhe një vendimmarrje për negociatat, zhvillohet më 26 dhe 27 mars. Më tej, gjatë vitit, në muajin maj, do të zhvillohet edhe Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Zagreb të Kroacisë.
