Botë
Jens Stoltenberg: Rusia të ndërpresë zjarrin në Ukrainë
01.10.2014 18:01
Jens Stoltenberg, është sekretari i ri i përgjithshëm i NATO-s. Ai pason në këtë detyrë Anders Fog Rasmusen, i cili drejtoi aleancën për 5 vjet e dy muaj...

Detyra e tij nuk është aspak e lehtë dhe mbërrin në një moment kur aleanca përballet me atë që paraardhësi e quajti “sfida më e madhe e sigurisë që prej Luftës së Ftohtë”, krizën në Ukrainë.
Stoltenberg, duhet të vendosë në zbatim planin e veprimit afatgjatë të miratuar gjatë Samitit të Uellsit, pa përplasje të forta me Moskën.
Plani përfshin shtim të pranisë së NATO-s në ish-Republikat Sovjetike, forcimin e ushtrisë dhe krijimin e një njësie të veçantë për ndërhyrje të shpejtë, që u quajt "grusht i hekurt i NATO-s".
“Kërkojmë nga Rusia që në mënyrë sa më të shpejtë të ndërpresë zjarrin në Ukrainë, të cilën Moska e ka destabilizuar dhe për këtë duhet angazhim i veçantë i NATO-s që të mos ndërpresë bashkëpunimin me Rusinë”- deklaroi sekretari i ri i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg
Zgjedhja e tij në kohën kur aleanca përballet me sfidën më të madhe ndoshta që prej themelimit të saj, nuk ka kaluar për kritika dhe dy janë më të fortat, e para lidhet me formimin e tij; vjen nga një fushë si ekonomia dhe pa asnjë përvojë në fushën ushtarake dhe e dyta shihet si një njeri “soft” që i mëshon kompromisit më shumë se ç’duhet.
E vetmja ndihmë që mund t’i vijë në këtë rast shefit të ri të NATO-s janë marrëdhëniet personale miqësore që ka trashëguar me Putin dhe Medvedev gjatë kohës kur ishte kryeministër në vendin e tij.
Gjatë drejtimit të qeverisë, Stoltenberg, i ka bërë vazhdimisht aleancës që të fokusohet në çështjet e sigurisë në kufi me shtetet aleate.
BESIM ABDULLAI
