Botë
Izolohen 10 qytete në Kinë, 26 të vdekur nga koronavirusi
24.01.2020 15:05
Kina ka zgjeruar masën e izolimit në 13 qytete të provincës kineze Hubei..

Kina ka zgjeruar masën e izolimit në 13 qytete të provincës kineze Hubei, për shkak të përhapjes së koronavirusit nga i cili deri tani kanë humbur jetën të paktën 26 persona. Në këto qytete, me një popullsi prej 60 milionë banorësh, është vendosur kufizimi i udhëtimit. Po ashtu janë mbyllur edhe shumë sektorëve të Murit të Madh kinez si edhe të monumenteve të tjera simbol në Pekin, “Varreza e Dinastisë Ming” dhe “Pylli i Faltoreve” dhe “Stadiumi Kombëtar i Pekinit”, i ashtuquajtur “Foleja e Zogut”. Në gjithë Kinën aktualisht është konfirmuar për 830 persona të prekur me këtë virus.
“Për momentin prevenimi i epidemisë nga virusi i ri “Korona” në qytetin Huhan është në fazë kritike, ekziston rrezik i madh për përhapjen e tij, qeveria ka vendosur të mbyll të gjitha rrugët për qarkullim.”,- tha guvernatori i provincës Hubej, Vang Shiaodong.
OBSh: Është herët të shpallet epidemi në nivel botëror
Raste të prekur nga virusi “Korona” janë regjistruar edhe në vende tjera të Azisë. Në Japoni janë rritur masat në aeroporte dhe portet detare për kontroll të personave që udhëtojnë nga Kina. Koronavirusi është i pranishëm edhe në ShBA, përkatësisht raste të reja janë evidentuar në Kaliforni dhe Teksas. Por, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerësohet se është herët për shpalljen e epidemisë në nivel botëror.
“Sistemi shëndetësor do të jetë nën presion për shkak të numrit të njerëzve të shqetësuar se janë të prekur nga virusi dhe do të shkojnë në kontroll. Por, ne patjetër ta menaxhojmë këtë, që shëndetësia të mund të punojë në mënyrë adekuate.”,- theksoi Majkll Rajan nga OBSh.
IShP: Po e ndjekim situatën me koronavirusin
Situatën me koronavirusin po e ndjek edhe Instituti i Shëndetit Publik në Shkup, nga i cili thonë se tanimë kanë nisur procedurat për sigurimin e reagensëve për diagnostifikim të shpejtë të rasteve eventuale që mund të paraqiten në vend.
“Ajo që është sugjerim i organizatës botërore të shëndetësisë për momentin është që çdo person i cili është me infeksion serioz akut respirator, i hospitalizuar me nevojë për ndihmë shtesë, dërgohet në laboratorin tonë, ne këtu bëjmë analiza fillimisht të atyre infektimeve që janë më të shpeshta për momentin, siç është gripi dhe infeksionet tjera respiratore dhe gjithsesi shpresojmë se për një kohë të shpejtë do të sigurohen reagensët e nevojshme të koronavirusit. Për momentin po analizojmë katër tipa të koronavirusit që shpesh qarkullojnë si pjesë e viruseve respiratore gjatë sezonit të gripit, por ato rezultojnë kryesisht me infeksione të ngjashme me gripin dhe ftohjen.”,- u shpreh Gollubinka Boshevska nga IShP.
Ethet, kollitja, frymëmarrja e rënduar, problemet në frymëmarrje janë disa nga simptomat e koronavirusit. Analizat e kodit gjenetik flasin për ngjashmëri me virusin SARS, që ka lënë të vdekur rreth 800 persona në të gjithë botën në fillim të viteve 2000. Virusi mendohet të jetë paraqitur në një treg ku është shitur mish dhe kafshë.
VLORA LATIFI TOPOJANI
