Maqedoni

OJQ “Jetë me sfida”: Ka mungesa të mëdha medikamentesh

24.01.2020 16:58

Problemet dhe sfidat me të cilat përballen familjet me sëmundje të rralla, janë të panumërta....

Nëse zgjidhet një problem, paraqitet një problem tjetër, alarmojnë nga Shoqata e Personave me Sëmundje të Rralla “Jetë me sfida”, sipas të cilës ka mungesa të mëdha të medikamenteve dhe të diagnozave. Disa persona madje presin një dekadë të tërë për marrje të diagnozës.
 
“Nga 8 mijë sëmundje të rralla, vetëm për 250 ekziston terapi. Të tjerëve u nevojitet shërbim social, u nevojitet mbështetje psikologjike dhe emocionale, u nevojitet fizioterapi, u duhen shumë gjëra tjera për të pasur jetë normale, për të pasur jetë cilësore dhe të mos ndjehen të margjinalizuar dhe të përjashtuar nga shoqëria.”,- deklaroi Vesna Aleksovska nga OJQ “Jetë me sfida”.
 
Filipçe: Po rritet buxheti për sëmundjet e rralla
 
Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, thotë se në mënyrë të vazhdueshme po rritet buxheti për sëmundjet e rralla.
 
“Në mënyrë të dukshme e kemi rritur buxhetin nga 270 në 520 milion denarë për vitin 2020. Ashtu si vitin e kaluar, edhe këtë vit vazhdon programi me ilaçe të reja për më shumë diagnoza të reja. Të gjithë pacientët me fibrozë pulmonare, të cilët me vite të tëra kanë pritur për terapi, tani kanë terapinë e duhur.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Nga Shoqata për Sëmundje të Rralla informuan se muaji shkurt do të jetë muaj i cili do t’i përkushtohet aktiviteteve, me të cilat do të rritet vetëdija dhe do të shpjegohen sfidat me të cilat përballen personat me sëmundje të rralla.
 
BELINDA KOKA ADEMI