Zaev fton opozitën të votojë Ligjin e Prokurorisë

24.01.2020 18:06

Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, sërish ka ftuar opozitën....

Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, sërish ka ftuar opozitën, përfshirë edhe opozitarët si shqiptarë që të mbështesin miratimin e Ligjit të Prokurorisë.

Nëse VMRO e mbështet këtë ligj, do të dëshmojë se është kundër krimit, thotë Zaev, sipas të cilit miratimi i këtij ligji do të ndikonte pozitivisht për negociatat me BE-në.                                                                   

“Sigurisht se kam shpresë serioze te deputetët e grupit të pavarur parlamentar të VMRO-së, tek opozita maqedonase dhe shqiptare, tek të gjithë partitë politike, tek shumica parlamentare kam shpresa serioze, me qëllim që të arrijmë konsensus. U bëj thirrje të gjitha partive politike, të gjitha grupeve të deputetëve dhe deputetëve të pavarur që të marrin vendime të duhura kur është në pyetje e ardhmja jonë evropiane, veçanërisht i bëj thirrje opozitës të pranojë Ligjin për Prokurorinë Publike të tregojë se është kundër krimit dhe është për sundimin e shtetit ligjor.”,- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.               

Janushev: VMRO mbetet në qëndrimet e deritanishme

Por nga VMRO ripotencojnë se ky version i propozuar i Ligjit për Prokurorinë Publike është interes personal i Zoran Zaevit dhe se do të marrin pjesë në bisedime vetëm nëse përfshihen edhe ekspertë ndërkombëtarë.

“VMRO-DPMNE-ja do të marrë pjesë në negociata vetëm nëse ftohen edhe ekspertë, por edhe përfaqësues të faktorit ndërkombëtar relevant, pikërisht ata tek të cilët thirret Zaevi, sepse me këtë që e propozojnë e vetmja që Zaev dhe LSDM dëshirojnë të arrijnë është amnistia për të gjitha krimet që fola.”,- u shpreh Igor Janushev nga VMRO.

Rashidi: Votojmë “për” nëse na pranohen amendamentet 

ASh për shqiptarët thotë se është e hapur për bisedime rreth ligjit të Prokurorisë Publike, por duke marrë parasysh amendamentet e kësaj partie, përndryshe konstatimi i Zaevit për të siguruar 80 vota pa VMRO-në, do të bie poshtë.                                                                                                                          

“Nuk e di se nga kanë dalë këto konstatime të LSDM-së se do të mund të sigurojë 80 vota për këtë ofertë dhe për këtë ligj. Kjo është mendoj versioni i tretë që sillet në Kuvend, në versionin e dytë ASh e shprehu qëndrimin e vet përmes amendamenteve, te amendamentet tona do ta shihni qëndrimin lidhur me Ligjin për Prokurorinë, tendenca për ta ruajtur PSP-në për qëllimet që është themeluar dhe si ka ekzistuar dh hapja e mundësisë për të sjellë prokurorë nga një vend i BE-së.”,- theksoi Syrija Rashidi nga ASh.

Ky ligj shihet si argument shtesë për hapje të bisedimeve me BE-në, kanë thënë edhe zyrtarët evropianë, prandaj së fundmi u riaktualizua çështja e miratimit të Ligjit të Prokurorisë para shpërbërjes së Kuvendit. (Gazmend Rexhepi, TVM2)