Ligji për Mbrojtje, pushteti dhe opozita pa marrëveshje

24.01.2020 19:02

Akoma mbetet i paqartë nëse në këtë përbërje parlamentare....

Akoma mbetet i paqartë nëse në këtë përbërje parlamentare do të miratohet Ligji i ri për Mbrojtje. Propozimi ligji akoma vazhdon të mbetet në procedurë kuvendore, por nuk është sjellë për votim pasi pushteti dhe opozita akoma nuk kanë siguruar 80 votat e nevojshme.

Nga pushteti i bëjnë thirrje opozitës që t’i tejkalojnë interesat e ngushta partiake dhe të votojnë për Ligjin në fjalë.

“Ligji për Mbrojtje duhet të miratohet deri në fund të këtij mandati të kësaj përbërje parlamentare. Unë jam i bindur që nëse opozita arrin t’i tejkalojë interesat e saj të ngushta partiake, atëherë zgjidhja e vetme në interes të qytetarëve dhe të shtetit, të prosperitetit dhe të ardhmes është sigurimi i 80 votave me të cilat do të kaloj ky ligj në seancë plenare.”,- theksoi deputeti i LSDM-së, Hari Lokvenec.

Por, nga opozita theksojnë se nuk do të ndryshojnë qëndrim në këtë çështje për shkak se me Ligjin e ri ndryshohet emri i Armatës.

“VMRO-DPMNE as nuk e ka mbështetur Marrëveshjen e Prespës, as nuk ka votuar për ndryshim të emrit kushtetues e as nuk do të votojë për ndryshimin e emrit të Armatës së RM-së. Nëse në të vërtetë intenca e tyre ka qenë të miratohet Ligji për Mbrojtje, atëherë kanë mundur të pranojnë Ligjin për Mbrojtje të propozuar nga VMRO-DPMNE, tek i cili i vetmi dallim ishte emri i Armatës së Maqedonisë”,- theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Miceski.

Ligji për mbrojtje është i rëndësishëm, pasi rregullon detyrimet që Maqedonia e Veriut duhet të marrë me anëtarësimin në NATO. (Zekirja Mexhiti, TVM2)