Maqedoni
TVM2-SAT, feston 2 vjetorin e transmetimit të parë
01.10.2014 18:21
Dy vite në të cilat u tejkaluan shumë sfida dhe probleme, por që në fund rezultojnë si të suksesshme...

Dy vite në të cilat u tejkaluan shumë sfida dhe probleme, por që në fund rezultojnë si të suksesshme, me shikueshmëri të madhe të programeve në diasporën shqiptare kudo që ata ndodhen. Kështu shprehet kryeredaktorja e Servisit Satelitor të TVM-2, Merita Dulatahu, pas dy viteve të funksionimit të këtij servisi.
“Gjatë këtyre dy viteve, ky program hasi që të tejkalojë shumë sfida. Ne fillimisht nuk patëm as kuadër as teknologji për të punuar mbarë e mirë siç punojmë sot. Mirëpo sot ne në këtë dy vjetor edhe pse është shumë pak, është një fillim i mbarë, mund të themi se kemi punë të mirë, kemi shikueshmëri shumë të madhe në diasporë, kemi teknologjinë më bashkëkohore, që e përçojmë sinjalin tonë tek bashkatdhetarët tanë në Evropë, në SHBA, në Kanada, në Zelandën e Re dhe në Australi”- deklaroi kryeredaktorja e Servisit Satelitor të TVM-2, Merita Dulatahu.
Dëshmi për shikueshmërinë e madhe të këtij servisi është paraqitja e njerëzve nga Suedia, Gjermania, Danimarka e gjetiu, kur ka pasur ndonjë ngecje teknike të sinjalit, e cila është tejkaluar menjëherë, thotë kryeredaktorja Dulatahu.
Ajo shton se programi satelitor është kompilacion i programit të TVM-2 dhe përçues i këtij programi në diasporë. Në të transmetohet 24 orë program në gjuhën shqipe dhe atë përmes modelit 8+8+8, që të jetë i shikueshëm edhe në Evropë, Kanada, Australi dhe Zelandën e Re.
7 deri në 9 orë të programit janë premierike nga TVM-2, ndërsa pjesa tjetër plotësohet me emisione të përzgjedhura të zhanreve të ndryshme. Servisi Satelitor i TVM-2 tashmë ka edhe arkivin e vet të digjitalizuar, i cili deri tani ka 400 emisione muzikore dhe dokumentarë dhe pasurohet vazhdimisht.
“Jemi përpjekur edhe pse me kuadër të pakët kadrovik që të shkojmë në diasporë, të matim impulsin e bashkatdhetarëve tanë atje. Kemi filluar projektin shumë të kërkuar nga diaspora “Më afër” dhe atë e ndjekin me vullnet, njerëzit janë të kënaqur që kemi shkuar në shtëpitë e tyre dhe ka qenë hera e parë që ne kemi shkelur në shtëpitë e bashkatdhetarëve tanë në Dortmund dhe në Kasell. Ne së shpejti do të fillojmë me projektin e quajtur “Tema jonë”, në atë do të ftojmë në studion tonë, që tashmë është përgatitur, njerëz që do të bisedojnë për tema të ndryshme, veçanërisht me theks të posaçëm për ekonominë dhe atë çka ofron vendlindja për të investuar njerëzit nga diaspora këtu. Do të prekim edhe temat politike pse jo, por kemi në plan sa të përmbushen kushtet edhe pak, që të bëjmë edhe një emision kontaktiv argëtues, të quajtur “VOX””- u shpreh Dulatahu.
TVM-2 SAT, me mjaft sukses realizon përmes gazetarëve dhe korrespodentëve të TVM2 dhe reportazhet e ciklit “Vendlindja ime” dhe “Malli im”, për t’ua sjellë mërgimtarëve më afër vendlindjen.
Në të ardhmen do të vazhdohet me projekte të parapara, që servisi satelitor të përmbushet me së paku 6 apo 7 gazetarë, të cilët do t’i jetësojnë në praktikë projektet që qëndrojnë në letër.
MEFAIL ISMAILI
