Maqedoni

Tiganj: Të përmirësohet gabimi që KE e bëri në tetor

27.01.2020 16:43

Zgjerimi i BE-së me vendet e Evropës Juglindore është një ndër prioritetet kryesore të presidencës kroate më BE-në...

Zgjerimi i BE-së me vendet e Evropës Juglindore është një ndër prioritetet kryesore të presidencës kroate më BE-në, sepse ky rajon meriton perspektivë evropiane, tha ambasadorja kroate, Nives Tiganj, në Komisionin për Çështje Evropiane në Kuvend. Kroacia do të mundohet që të ndihmojë në përmirësimin e gabimit të tetorit që bëri KE ndaj këtyre vendeve dhe RMV të fillojë negociatat, tha Tiganj.
 
“Sa i përket Maqedonisë, pozicioni ynë është shumë i pastër. Dëshira jonë është që gabimi që u bë në tetorin e kaluar të përmirësohet në periudhën në vijim dhe RMV t’i hap bisedimet me Bashkimin Evropian.”,- u shpreh ambasadorja e Kroacisë në RMV, Nives Tiganj. 
 
Zhbogar: Para shpërbërjes së Kuvendit, miratoni Ligjin e Prokurorisë
 
Euroambasadori, Samuel Zhbogar, sugjeron që Kuvendi para shpërndarjes të miratojë tri ligjet e rëndësishme. 
 
“Do të përmendja tri çështje të cilat shpresojmë të ecin përpara. Njëra është Ligji për Prokurori Publike, e dyta është Kodi Zgjedhor dhe e treta që janë ndryshimet në rregulloren e parlamentit në kuadër të procesit Zhan Mone.”,- theksoi ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.
 
Osmani: Këtë vit e realizojmë qëllimin strategjik
 
Zëvendëskryeministri Osmani shprehu bindjen e tij se RMV këtë vit do të fillojë bisedimet me BE-në. Sipas tij, kjo do të ndihmonte edhe në fuqizimin e institucioneve demokratike dhe në respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.
 
“2020, vit i Maqedonisë së Veriut, sepse këtë vit, pas tre dekadash, e realizojmë qëllimin tonë të parë strategjik, anëtarësimin në NATO dhe unë jam i bindur se këtë vit do t'i fillojmë edhe negociatat për anëtarësim në BE. A do ta sjell këshilli zyrtarisht tani a pak më vonë, është pak me rëndësi. Ajo që është më e rëndësishmja është që negociatat të fillojnë sa më shpejtë.”,- deklaroi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
 
Procesi i negociatave nuk do të jetë i thjeshtë, por afatgjatë dhe përplot me sfida, thekson Osmani.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU