Maqedoni
U vonua ekipi mjekësor në aeroportin e Shkupit, udhëtarët kaluan pa u kontrolluar
27.01.2020 17:32
Autoritetet vendore kanë paralajmëruar masa për mbrojtje nga koronavirusi....

Autoritetet vendore kanë paralajmëruar masa për mbrojtje nga koronavirusi, por autoritetet shëndetësore dhe institucionale nuk arritën të koordinohen. Ekipet medicinale në aeroportin e Shkupit kanë arritur në momentet kur po ateronte aeroplani nga Dubai, ndërsa pa u kontrolluar fare kaloi aeroplani me udhëtarë nga Stambolli. Kontrolle të detyrueshme në kamerën termike kanë të gjithë udhëtarët që fluturojnë nga Stambolli dhe Dubai, që është një nga masat preventive nga kompetentët, sepse këto qytete kanë kontakt direkte me Kinën.
“Ne kur na njoftuan erdhëm menjëherë, si është koordinimi mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qendrës së Shëndetit Publik, mund të them se mbrëmë është mbajtur seanca e Komisionit për Sëmundjet Infektive dhe janë arritur konkluzione dhe sipas tyre veprohet. Për momentin nëse regjistrohet pacient me rritje temperature, kontrollohet edhe një herë temperatura, bëhet analizë epidemiologjike dhe dërgohet në dhomën për izolim deri sa të sigurohen të dhëna konkrete.”,- deklaroi mjekja, Marija Bllagoja.
Qytetarët e anketuar thonë se kanë frikë të udhëtojnë për shkak të shfaqjes së koronavirusit.
“Është normale të kemi frikë, nuk do të ishte në rregull të mos frikësohemi nga koronavirusi, është sëmundje e rëndë që është përhapur kohëve të fundit.”,- tha një qytetar.
“Për momentin ndalojmë së udhëtuari me shfaqjen e koronavirusit, më herët nuk kishim problem.”,- u shpreh një qytetar.
“Udhëtoj nga Norvegjia, ka kontrolle, por jo shumë.”,- theksoi një qytetar.
Deri tani asnjë qytetar i vendit brenda apo jashtë vendit nuk është evidentuar të jetë i prekur me koronavirus.
VLORA LATIFI TOPOJANI
