Maqedoni
KSP të martën mban diskutim publik për PP-në. Arsovski: Do të marrim pjesë në diskutim
27.01.2020 17:55
Përpjekje të reja me qëndrime të vjetra për Ligjin për Prokurori Publike....

Komisioni për Sistem Politik të martën do të mbajë diskutim publik për Prokurorinë Publike si organ efikas në luftën kundër korrupsionit, ku partitë politike, përveç përfaqësuesve të tyre, kanë ftuar ekspertë për të argumentuar pro dhe kundër propozim teksteve të deritanishme për Prokurorinë Publike. VMRO-DPMNE do të marrë pjesë në debat, me ekspertët e saj. Dënoi paralajmërimet se një propozim Ligjin i ri për Prokurori Publike mund të futet në procedurë parlamentare pa marrëveshje me të.
“Ajo që mund të them për nesër është se VMRO-DPMNE është koncentruar në diskutimin publik. Për të gjitha hapat e tjera sa u përket procedurave parlamentare do t’ju informojë grupi parlamentar.”,- tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsosvki.
Vançeva: VMRO mos të mbajë vendin peng
LSDM nga ana tjetër, fton opozitën e kryesuar nga VMRO DPMNE që të mos bllokojë projekt ligjin dhe procesin eurointegrues të vendit.
“Asnjë subjekt politik nuk ka të drejtë të mbajë vendin peng siç e bën VMRO DPMNE me Ligjin për Prokurori Publike për një vit të tërë. Zgjidhja ligjore e propozuar përmirëson sistemin në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe garanton eurointegrimin e shtetit.”- deputete e LSDM-së Snezhana K. Vançeva.
Në debat janë ftuar kryeprokurori Ljubomir Joveski, kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Aco Kolevski, prokurorja Villma Ruskovska, ish prokurorët specialë Fatime Fetai, Lençe Ristovska dhe Gavrill Bubevski si dhe profesorë dhe ekspertë eminent. Opozita paralajmëroi se diskutimi mund të zgjasë më shumë se sa është parashikuar. Në ndërkohë shumica parlamentare paralelisht me bisedimet me opozitën përpiqet të sigurojë 80 votat e nevojshme për miratimin e Ligjit për prokurori para shpërndarjes së Kuvendit. Pretendohet përkrahja e grupit të deputetëve të pavarur të VMRO-DPMNE-së.
SHPËTIM NUREDINI
