Maqedoni
Stefanova dëshmoi për rastin “Zhvatja”. Janeva me fjalë ofenduese ndaj Stefanovës
27.01.2020 18:27
Ish prokurorja speciale, Katica Janeva, ka përdorur fjalë ofenduese ndaj ish koleges së saj, Lile Stefanova...

Ish prokurorja speciale, Katica Janeva, ka përdorur fjalë ofenduese ndaj ish koleges së saj, Lile Stefanova, derisa kjo e fundit ishte ftuar në cilësinë e dëshmitares për rastin “Zhvatja”, ku Janeva është e akuzuar. Janeva e quajti “lavire” Stefanovën ndaj së cilës përdori edhe fjalë tjera ofenduese, pas çka ajo me urdhër të gjykatëses u largua nga salla e gjykatës.
Gjatë dëshmisë së saj, Stevanova tha se deri më 16 prill të vitit 2019 Janeva nuk është përzier, e as nuk ka ndikuar në punën e saj dhe të tjerëve.
Por, pikërisht atë ditë Janeva Stefanovës dhe Rustemit iu ka urdhëruar që të vlerësojnë sa dëm është shkaktuar me rastin “Perandoria” dhe Banka Postare, dhe rasti të mbyllet, ndërsa ka kërkuar që Kamçevit, Mijallkovit dhe të paraburgosurve tjerë, t’u caktohet paraburgim shtëpiak.
Stefanova theksoi se Kamçev gjatë gjithë kohës ka dërguam ndërmjetës, politikanë, gjykatës, në mesin e të cilëve edhe gjykatësen Kacarska, që të gjejë zgjidhje për t’u liruar.
Ai edhe personalisht asaj i ka treguar letrën në të cilën është shkruar se Natasha Savova për të dhe Mijallkovin do të kërkojë lirim. Të dyshuarit në lëndën “Perandoria”, pothuajse gjithmonë kanë arritur të mësojnë se çka PSP-ja ndërmerr kundër tyre.
Ajo pohoi se hetuesit i kanë sqaruar se gjatë bastisjeve të kryera tek i dyshuari, Jordan Kamçev, ata i kanë pritur të përgatitur. Stefanova pas përfundimit të seancës gjyqësore theksoi se Katica Janeva i ka shkaktuar dëm shumë të madh Prokurorisë Speciale.
“Pavarësisht vendimit, pavarësisht aktakuzës, veprimi për të cilin Katica Janeva sot është në bankën e të akuzuarve, i shkakton dëm serioz Prokurorisë Speciale Publike, ndërkohë që ka shkaktuar edhe një dëshpërim të madh tek mbarë opinioni në vend. Nga ana tjetër iu la hapësirë personave të akuzuar dhe dyshuar në lëndët e PSP-së që pa bazë t’i diskreditojnë prokurorët publikë edhe lëndët, me qëllim që ta zvogëlojnë, por edhe ta shmangin përgjegjësin penale.”,- deklaroi ish prokurorja në PSP-së, Lile Stefanova.
Mbrojtja e Janevës u shpreh e kënaqur me dëshminë e Stevanovës.
“Nga dëshmia e Liles praktikisht mund të nxjerrim konkluzion se as një veprim që ka ndërmarrë Katica Janeva nuk ka qenë e kundërligjshme, përkundrazi, të gjitha veprimet e marra nga ana e saj janë në pajtim me ligjin dhe kompetencat e saj.”,- theksoi avokatja, Irena Frçkovska.
Në radhë për të dëshmuar në rastin “Zhvatja” është prokurori, Burim Rustemi.
SANIJE DURAKU
