Maqedoni

Tribunë për shërbimet elektronike në Tetovë, Mançevski “harron” gjuhën shqipe

27.01.2020 18:41

Me temën “Digjitalizim të shërbimeve publike”, në Tetovë u mbajt tribuna e dytë me qëllim informimin e institucioneve dhe qytetarëve...

Me temën “Digjitalizim të shërbimeve publike”, në Tetovë u mbajt tribuna e dytë me qëllim informimin e institucioneve dhe qytetarëve se çfarë shërbimesh ofron Portali Nacional uslugi.gov.mk. Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, nënvizoi se shumë e rëndësishme është që qytetarëve t’u ofrohen shërbime elektronike dhe për këtë gjë të aktivizohet edhe pushteti qendror, por edhe ai lokal.
 
“Qëllimi i këtyre tribunave është që jo vetëm qytetarët, por edhe institucionet, t’i njoftojmë me të gjitha mundësitë që iu ofrohen atyre që t’i shërbejnë qytetarët me shërbime elektronike. Sot kemi 128 shërbime elektronike që ofrohen nga usluga.gov.mk dhe ky numër çdo ditë rritet dhe mund të them që portali jep shërbime në tri gjuhë, shqip, maqedonisht dhe anglisht, sepse një pjesë e shërbimeve u dedikohen edhe mërgimtarëve.”,- deklaroi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mancevski.
 
Mançevski i pyetur nga gazetarët se pse në billbordet e tyre nuk përfillet gjuha shqipe, ai tha se bëhet fjalë për lëshim teknik.
 
 “Keni të drejtë, edhe unë tani e vërejta, është një gjë që tani e pashë dhe normal që do ta korrigjojmë dhe tash kemi tre përkthyes në ministri dhe për momentin këto janë kushtet dhe duhet të punojmë në resurset njerëzore. Është problem teknik...”,- tha ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mancevski.
 
Sipas ministrit Mançevski, po punohet që ky portal të zhvillohet dhe të jetë 100% në shërbim të qytetarëve.
 
VISAR SADIKI