Botë

Rama takoi Merkelin, ajo dha mbështetje për rindërtimin pas tërmetit

27.01.2020 19:37

Dy muaj nga tërmeti i 26 nëntorit, kryeministri Rama ka marrë mbështetjen e Gjermanisë...

Dy muaj nga tërmeti i 26 nëntorit, kryeministri Rama ka marrë mbështetjen e Gjermanisë në prag të konferencës së donatorëve që do mbahet në Bruksel për të ndihmuar Shqipërinë në kapërcimin e pasojave që shkaktoi ai.
 
Gjatë konferencës për shtyp të mbajtur në Berlin, Rama u shfaq falënderues për këtë ndihmë, për të cilën tha se Shqipëria ka shumë nevojë.
 
“Jam e kënaqur që Komisioni Evropian ka thirrur një konferencë donatorësh më 17 shkurt për të avancuar rindërtimin. Gjermania do të marrë pjesë në këtë konferencë të donatorëve. Bashkëpunimi në rajon ishte vërtet mbresëlënës. Sidoqoftë, tërmeti ka qenë një goditje e fortë për Shqipërinë.”,- tha Merkel.
 
“Shqipëria ka një nevojë të madhe për të gjetur mbështetje nga të gjithë miqtë e partnerët në procesin e vështirë të rindërtimit, i cili bazuar në raportin e dëmeve të hartuar në bashkëpunim me BE, kërkon një shumë që është përtej mundësive tona.”,- theksoi Rama.
 
Sa u përket çeljes së negociatave, kancelarja Merkel konfirmoi qëndrimin pro të Gjermanisë në takimi e Këshillit në Mars.
 
“Në BE të gjithë duam që të arrijmë një marrëveshje në takimin e ardhshëm të Këshillit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Te dyja vendet kanë shumë arritje. Ne e patëm këtë qëndrim gjatë mbledhjes sonë të fundit. Tani ne do punojmë fort për të arritur rezultatet që duam në muajin Mars. Unë besoj se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian, edhe e Shqipërisë e nuk është vetëm në interesin e këtyre vendeve por edhe në interesin tonë. Sepse kushdo që shikon hartën, kush njeh kontekstin gjeopolitik, e di që është mirë për të gjithë nëse një ditë vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë anëtare të BE.”,- u shpreh Merkel.
 
Në njoftimin e kancelarisë gjermane thuhet se tema të takimit Merkel Rama janë marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve, por edhe presidenca shqiptare e OSBE dhe çështjet rajonale.
 
LULJETA NDOKA