Maqedoni

Ndotja e lartë e ajrit, masa të jashtëzakonshme në Shkup dhe Tetovë

28.01.2020 14:34

Qeveria pasditen e së hënës ka shpallur masat e jashtëzakonshme në Shkup dhe Tetovë....

Qeveria pasditen e së hënës ka shpallur masat e jashtëzakonshme në Shkup dhe Tetovë, për shkak të ndotjes së lartë të ajrit. Pas këtij vendimi të qeverisë, punëdhënësit janë të obliguar t’i lirojnë nga puna gratë shtatzëna, personat mbi 60 vjeç, si dhe ata me astmë kronike, goditje në tru, ose që kanë përjetuar infarkt.
 
Njëherit, transporti publik i autobusëve në kryeqendrën e vendit është falas, ndërsa parkimi është dy herë më i shtrenjtë. Këto masa kanë për qëllim nxitjen e qytetarëve që të lënë automjetet dhe në këto ditë me ndotje të lartë të ajrit, të udhëtojnë me transportin publik falas. Qytetarët thonë se e shfrytëzojnë këtë mundësi, ndërsa theksojnë se ndotja e lartë po u shkakton vështirësi gjatë frymëmarrjes. 
                                                                                                   
“Shumë është ajri i ndotur dhe normal që kemi probleme, sëmundje nuk kemi, por vetëm nuhatja mjafton që po e nuhasim këtë ajër të ndotur.”,- theksoi një qytetar.
 
“Autobusi sot nuk paguhej, e dëgjova nga njerëzit sepse nuk i kisha ditur.”,- u shpreh një qytetar.  
 
“E kam kartelën, e kam shfrytëzuar sepse nuk e kam ditur.”,- tha një qytetare.  
 
“Në mëngjes kur erdha në qytet e pashë se autobusi ishte falas. Te ne në fshat nuk kemi ndotje, këtu në qytet ka ndotje, por unë këtu e kryej punën për një orë dhe kthehem në fshat.”,- deklaroi një qytetare. 
 
“Lëndët që djegin në “Cementar” dhe firmat tjera, ato bëjnë profit, por e ndotin ajrin. Pas shumë vitesh u zbulua se çfarë mbeturinash digjen. Kjo po zgjat shumë, por dikush po përfiton edhe nga kjo.”,- theksoi një qytetar. 
 
“U ndërtua në të gjitha anët dhe u grumbulluan të gjithë këtu, prandaj ajër të pastër ka vetëm në fshat.”,- u shpreh një qytetare.  
 
“Nuk është mirë kështu, por nuk kemi çka të bëjmë. Masat po ndërmerren, por se sa realizohen nuk dihet.”- tha një qytetar.   
 
“Më pengon, sepse kam probleme me frymëmarrjen, ja tani po vi nga mjeku.”,- theksoi një qytetar.   
                                                                                                          
Masat e jashtëzakonshme do të qëndrojnë në fuqi derisa të tejkalohet ndotja e madhe e ajrit, thonë autoritetet. Ndërkohë, mjekët rekomandojnë që të mos dilet pa nevojë në ambient të hapur, si dhe të mos organizohen gara sportive dhe ngjarje kulturore në vende të hapura. 
 
GYLTENE SINANI