Maqedoni

Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi për krijimin e kuadrove profesionalë

28.01.2020 15:23

Krijimi i partneriteteve mes shkollave të mesme profesionale dhe kompanive...

Krijimi i partneriteteve mes shkollave të mesme profesionale dhe kompanive, përmirësimi i trajnimit profesional dhe rritja e interesit për edukim është qëllimi i projektit “Arsimi për punësim në Maqedoninë e Veriut”. Për këtë projekt ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, së bashku me ambasadoren e Zvicrës në RMV, Sibyl Zuter Tehada, nënshkruan memorandum bashkëpunimi, i cili do të realizohet përmes programit për konkurrencë dhe inovacion të Ministrisë së Ekonomisë.
 
Ministri Bekteshi theksoi se vendi po ballafaqohet me deficit të kuadrit profesional, duke shtuar se ata që do të kyçen në arsimin dual në të ardhmen do të kenë më shumë gjasa të  gjejnë  një vend pune.
 
“Ministria e Ekonomisë është në kontakt të vazhdueshëm me sektorin e biznesit dhe të gjitha të dhënat të cilat i marrim nga biznesi në vendin tonë tregojnë që ka një deficit sa i përket kuadrove profesionalë. Edhe pse jemi në fazën fillestare të realizimit të sistemit dual me përkushtim do të punojmë që sa më shumë të rinj të marrin pjesë, shkollat e mesme të cilat kanë drejtime  profesionale për shkak se vetëm në këtë mënyrë ne do të krijojmë kuadro që i përputhen nevojave të tregut.”,- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Ambasadorja e Zvicrës, Zuter Tehada, theksoi se përfshirja e sektorit privat në përmirësimin e aftësive të punës është një aspekt i rëndësishëm i sistemit arsimor në Maqedoninë e Veriut.
 
“Disa nga aspektet e sistemit edukativ arsimor në Zvicër mund të përdoren edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Përfshirja e fuqishme e sektorit privat në edukimin profesional është një prej atyre aspekteve dhe  është elementi kyç i projektit tonë “Edukim për punësim”.”,- tha ambasadorja e Zvicrës në RMV, Sibyl Zuter Tehada.
 
Vetëm gjatë vitit 2019 projektin të cilin e ka realizuar Ambasada e Zvicrës në bashkëpunim me 16 ndërmarrje ku janë trajnuar 600 persona të papunë ka rezultuar që 350 prej tyre të punësohen pas mbarimit të trajnimeve.
 
GAZMEND KURTISHI