Maqedoni
Ordinanca Gjinekologjike në Shuto Orizare, pacientet ankohen për mungesë të mjekëve
28.01.2020 16:27
Mbi 8000 paciente të Ordinancës së vetme Gjinekologjike në komunën e Shuto Orizarës...

Mbi 8000 paciente të Ordinancës së vetme Gjinekologjike në komunën e Shuto Orizarës gati një jave trokasin në derën e mbyllur, pacientet shprehen se për këtë nuk ka pasur asnjë paralajmërim. Nga Iniciativa e “Grave rome” thonë se kanë nevojë për kujdes të vazhdueshëm mjekësor dhe pa ndërprerje.
“Mungesa e gjinekologëve në komunë është një nga faktorët e vdekjes nga kanceri i gjirit dhe qafës së mitrës, të cilët janë dukshëm më të lartë se nëpër komunat tjera jo-rome. Shumica e grave janë të papuna dhe jetojnë në kushte të rënda ekomomike, me çka ju pamundësohen kontrollet e rregullta.”,- thuhet nga Iniciativa “Gratë rome”.
Gjinekologia e deritanishme erdhi nga Shqipëria e cila u emërua nga Ministria e Shëndetësisë duke marrë subvencione, sepse nuk kishte gjinekologë të interesuar që të punojnë në këtë mjedis. Një trajtim i tillë, sipas qytetarëve, tregon një diskriminim të dukshëm.
“8000 gra, të cilat mbetëm pa gjinekolog, do të bëjnë përsëri peticion dhe të njëjtin do ta dorëzojmë në Ministrinë e Shëndetësisë, që të angazhohen seriozisht në këtë drejtim.”,- tha një qytetare.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, njoftoi se është në përpjekje të gjetjes së një zgjidhje.
“Jemi në bisedime intensive me disa institucione, për të siguruar një gjinekolog sipas sistemit të rrotacionit, nëse nuk arrijmë të sigurojmë, do të ndajmë mjete shtesë për stimulim përmes sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë, që të kemi edhe atje gjinekologë. Ka një numër të madh specialistësh të cilët aktualisht janë në përfundim të specializimit, do të bisedojmë edhe me ata ditëve në vijim.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Komuna e Shuto Orizares ishte një nga komunat e vetme të Maqedonisë ku gratë deri në shtator të vitit 2017 nuk kishin gjinekologë amë, më pas me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, në ordinancën e Shuto Orizares, zyrtarisht u punësua gjinekologia nga Shqipëria, e cila tani pas gati dy vite e gjysmë e ka mbyllur ordinancën duke e paralajmëruar Ministrinë e Shëndetësisë një javë përpara, se do të hapë një ordinancë në një vend tjetër.
FARIJE DAUTI BAKIJU
