Maqedoni
Parlamenti Evropian, Sasoli: Evropa nuk është e plotë pa Ballkanin perëndimor
28.01.2020 17:52
Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian kanë vullnet politik për të vazhduar...

Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian kanë vullnet politik për të vazhduar me procesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe institucionet e BE-së do të këmbëngulin që ky proces të ec përpara, tha kryetari i PE-së, David Sasoli, në Samitin me kryetarët e parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, harta politike e Evropës nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor dhe BE duhet të reflektojë në përmbushjen e kësaj zbrazëtirë.
“Në parlament ka vullnet dhe dëshirë të madhe rreth procesit të zgjerimit. Hasëm në pengesa e në disa vërejtjeve të disa vendeve anëtare, të tre vendeve anëtare nga 28 në këtë rast, por ka një vullnet të fortë të Parlamentit dhe Komisionit për të vazhduar. E besoj se kjo vendosmëri do të bëjë të mundur fillimin e procesit të negociatave me këto vende dhe bashkëpunimit me vendet e tjera. Kemi nevojë për të përmbushur kartën gjeografike të Europës. Ka një gropë që quhet Ballkani Perëndimor. E derisa nuk e mbushim nuk do të kemi të plotë hapësirën gjeografike e as hapësirën politike.”,- tha kryetari i PE-së, David Sasoli.
Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, në fjalimin e tij ka falënderuar institucionet e BE-së për mbështetjen e plotë të procesit të fillimit të negociatave mes RMV-së dhe BE-së, duke shtuar se përkushtimi i tyre flet për vizionin e BE-së për të integruar brenda vetes edhe rajonin e Ballkanit.
"Përkushtimi dhe qasja serioze e të gjithë faktorëve ndaj kësaj çështjeje qartë e konfirmon mbështetjen e ndërsjellë, nevojën dhe vizionin dhe cakun e qartë, respektivisht integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane për të mirën e rajonit dhe të Bashkimit Evropian." - ka thënë Xhaferi.
Xhaferi ka siguruar PE-në se do të vazhdojë të punojë në ndërtimin e shtëpisë ligjvënëse më funksionale dhe më të pavarur, siç kërkohet në procesin e dialogut “Zhan Mone.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
