Maqedoni

75 vjet Radio Shkupi, mirënjohje për ata që lanë gjurmë në këto vite

28.01.2020 18:19

“Ju flet Radio Shkupi” ishin fjalët e para në gjuhën shqipe të cilat u lëshuan në etër në frekuencat e Radio Shkupit 75 vite më parë...

Duke filluar nga një program 10 minutësh, Radio Shkupi u zgjerua në 17 orë program, i cili sot prodhon emisione të sferave të ndryshme, ndërsa së shpejti pritet të zgjerojë programin në 24 orë.
 
Edhe krahas vështirësive përgjatë viteve, ky medium mbetet shtyllë e shprehjes radiofonike shqipe në vendin tonë, duke ruajtur emblemën tradicionale, por çdoherë duke luftuar të jetë konkurrent në radio rrjetin rajonal.
 
“Misioni kompleks dhe angazhimi ynë profesional shpijnë drejt implementimit të kodeksit etik i cili përcakton obligimet dhe interesat e këtij stafi krijues, por ambiciet janë gjithmonë më të mëdha se rezultatet. Synimi ynë në këtë rrugëtim profesional është zbatimi i Ligjit për programin 24 orësh në gjuhën shqipe.”,- deklaroi drejtoresha e Radios së Maqedonisë, Ajten Vllasaku.
 
Me këtë rast iu ndanë mirënjohje atyre që lanë gjurmë duke e ndërtuar historinë e këtij mediumi ndër vite, duke përkujtuar edhe emrat e atyre që tanimë nuk janë në mesin tonë. 
 
“Në Radio kam shumë shumë kujtime, edhe të mira edhe të këqija, por për fat të keq të mirat harrohen, të këqijat mbesin. Unë i përjetova edhe vërshimet e Shkupit edhe tërmetin, ku humbëm edhe shokë e shoqe gazetarë.”,- tha Hatixhe Nesimi. 
 
“Ne kaluam me të vërtetë çaste të rënda, nuk ishte lehtë të jesh gazetar në radio, sigurisht edhe në televizion jo për shkak të diferencimit ose të ndonjë procesi tjetër shoqëror, por për shkak të shumë e shumë baticave e zbaticave që e kanë përcjellë këtë program.”,- theksoi Agim Nuriu.
 
“Radio Shkupi është shpallur si një ndër mediat më të mira, më cilësore në tërë botën shqiptare, në botën e informimit, në botën e gazetarisë në Maqedoni.”,- deklaroi Rahim Ganiu. 
 
“Unë dhashë atë nga shpirti, nga zemra, për gjeneratën më të mrekullueshme të botës, sepse Zhan Pol Sartër thotë çfarë vlere ka tërë arti im para urisë së një fëmije.”,- u shpreh Mustafa Spahiu.
 
“Për atë një kohë të shkurtë që isha në krye të këtij institucioni, u përpoqa të bëj atë që për atë kohë ishte e nevojshme, besoj që më tutje të gjithë ata që kanë ardhur po ashtu e kanë bërë atë që kanë menduar se është e nevojshme të bëhet në moment të caktuar.”,- tha Mahi Nesimi.
 
Në 75 vjetorin e  Radio Shkupit, Posta e Maqedonisë do të nxjerrë edhe një pullë të re postare.
 
“Këtë nder e kam unë si njeriu i parë i institucionit Posta e Maqedonisë, të bëjmë edhe sivjet promovimin e pullës postare të kontributit tuaj të pakontestueshëm të të gjitha gjeneratave që kanë dhënë në 75 vjetorin e Radio Shkupit.”,- theksoi drejtori i Postave të RMV-së, Ejup Rustemi.
 
Radio Shkupi arriti përgjatë viteve të mbajë lart imazhin e tij çdoherë duke ruajtur vlerat kulturore e kombëtare.
 
LEUNORA KALIQI