Maqedoni
“Rruga drejt NATO-s dhe BE-së” - Këshilli i Ambasadorëve mbështet proceset integruese
28.01.2020 20:35
Këshilli i Ambasadorëve në vend është në mbështetje të perspektivës europiane të Maqedonisë së Veriut...

Në tryezën e organizuar kushtuar rrugës drejt NATOS-s dhe BE-së, ambasadori i Italisë e cilësoi si gabim historik mosdhënien e datës në tetor, pasi që nga zgjerimi i BE-së varet stabiliteti i rajonit.
“Zgjerimi i BE-së është në interes të stabilitetit të rajonit, por edhe në interes të BE-së. Kyçe janë reformat dhe një klimë më e mirë ekonomike. Mosmarrja e vendimit pozitiv në tetor kishte ndikim në agjendën europiane dhe stabilitetit politik në mbarë rajonin.”,- theksoi ambasadori i Italisë, Karllo Romeo.
Për ambasadorin e Francës, Timonie, shtyrja e datës nuk është gabim historik, pasi që e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është europiane. Timonie është optimist se data është shumë afër.
“Ndoshta shumë shpejt u cilësua si gabim historik, por unë do të kisha thënë mundësi historike drejt ndërtimit të Europës që gjithmonë ka funksionuar mirë edhe kur janë paraqitur kriza. Mos thoni se çështja është urgjente dhe mos jepni data konkrete, por shpresat e mia janë se data është shumë afër.”,- tha ambasadori i Francës, Kristijan Timonie.
Gjermania nuk ka ndryshuar qëndrimin për çeljen e bisedimeve. Sipas ambasadorit të Gjermanisë Gerberih, BE do të duhet që ti riafirmojë bisedimet për anëtarësim.
“Hapja e bisedimeve për anëtarësim në BE është çështje e stabilitetit dhe sigurisë së Europës. Interes i BE-së është që të kyç vendet e Ballkanit Perëndimor në Union. Që kjo të ketë sukses duhet që të riafirmojmë premtimet tona për perspektivën europiane të këtyre shteteve.”,- theksoi ambasadori i Gjermanisë, Tomas Gerberih.
Ambasadorja amerikane këmbëngul që për anëtaren e 30 të NATO-s, Unioni të ofrojë çeljen e bisedimeve.
“Kemi shqyrtuar gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE. Në këtë moment kritik Maqedonia e Veriut të jetë më e fuqishme dhe të punojë më fuqishëm në luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e së drejtës.”,- u shpreh ambasadorja e ShBA-së, Kejt Bërns.
Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, tha se ratifikimi i protokollit të NATO-s në parlamentin spanjoll pritet të ndodh në fillim të marsit.
Pendarovski pret miratimin e metodologjisë së re në Samitin e Zagrebit dhe vendi të nis bisedimet gjatë kryesimit kroat.
MERAL ISMAILI
