Botë

Virusi Korona në Kinë, rritet numri i viktimave, OBSh bën gati ekspertët

29.01.2020 12:43

Kina edhe më tej vazhdon të jetë nën ethet e virusit Korona....

Ka arritur tashmë në 132 numri i viktimave. Komisioni Kombëtar i Shëndetit Kinez thotë se mund të duhen edhe 10 ditë të tjera që virusi të arrijë kulmin. Organizata Botërore e Shëndetësisë është dakorduar të dërgojë atje ekspertë sa më shpejt të jetë e mundur. Rrezikshmëria më e lartë vazhdon të jetë në Vuhan, në epiqendrën e virusit që është vënë në karantinë të plotë. Nuk ka asnjë lëvizje brenda ose jashtë qytetit. Transporti është ndalur ose kufizuar dhe rrugët janë pothuajse bosh. Në këtë qytet ka shumë shtetas të huaj, sidomos studentë në Universitetin e Shkencave në Huazhong. Por jo të gjithë ata e kanë frikë virusin që po trondit botën. 
 
“Vuhani është si vendlindja ime e dytë, pra kam vendosur të mos largohem. Nuk kemi probleme, kemi ushqim dhe maska.”,- tha shtetasi pakistanez, Muhammad Ahsan.
 
“Universiteti kujdeset për ne. Ndjekim masat preventive që na kanë thënë, mbajmë maska, ajrosim dhomat, nuk na lejohen vizitorë dhe nuk dalim jashtë.”,- u shpreh studentja nga Rusia, Vera Syrvasova.
 
“Mendoj se autoritetet këtu po bëjnë një punë të mirë. Janë marrë të gjitha masat e duhura. Madje mesa di unë kanë bërë shumë më tepër nga ajo që i kërkon Organizata Botërore Shëndetësore.”,- theksoi profesoresha nga Gjermania në Universitetin “Huazhong”, Bettina Mauser.
 
“Qeveria ka siguruar përkthyes që janë 24 orë në dispozicion jo vetëm në anglisht, por edhe në gjermanisht e frëngjisht, madje pothuajse në të gjitha gjuhët që flasin të huajt këtu. I gjithë kujdesi që ofrohet për vendasit, ofrohet edhe për të huajt.”,- deklaroi shtetasi amerikan, Helmut J. Torres.
 
Megjithatë, shumë të huaj po ikin nga Kina. 600 qytetarë australianë tashmë janë larguar dhe qeveria po planifikon t’i vërë ata në karantinë për dy javë në një ishull – rreth 2,000 km nga kontinenti. Edhe Japonia, ShBA-të dhe BE-ja po riatdhesojnë qytetarët e tyre. Në Kinë jetojnë edhe 100 shtetas të Maqedonisë së Veriut. Deri tani nuk është paraqitur ndonjë rast i infektuar me koronavirus.
 
MPJ ka njoftuar tashmë se  përfaqësia konsulare diplomatike në Pekinë po monitoron me kujdes situatën dhe është në komunikim të vazhdueshëm me shtetasit tanë atje, por nuk ka aktualisht asnjë shtetas nga RMV që ka kërkuan ndihmë për t’u kthyer në vendlindje. Nuk ka të dhëna për të infektuar as nga Shqipëria dhe Kosova.  
 
LEUNORA KALIQI