Botë

Plani për Lindjen e Mesme, palestinezët e cilësojnë si konspiracion

29.01.2020 13:13

Palestinezët kanë refuzuar planin e presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme....

Palestinezët kanë refuzuar planin e presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme që parashikon një shtet palestinez dhe njohjen e sovranitetit të Izraelit mbi kolonitë në Bregun Perëndimor. Ata madje e kanë cilësuar planin si konspiracion.
 
Dokumenti, që synon të zgjidhë një nga konfliktet më të hershme në botë, është hartuar nën mbikëqyrjen e dhëndrit të presidentit Trump, Jared Kushner. Duke qëndruar përkrah kryeministrit izraelit Benjamin Natanjahu në Shtëpinë e Bardhë, të martën, Trump tha se propozimi i tij mund të ishte mundësia e fundit për palestinezët.  Sipas planit Jerusalemi do të mbetet kryeqyteti i pandarë i izraelit por kryeqyteti palestinez do të përfshijë zonat në lindje të tij. 
 
Mijëra palestinezë protestuan në Rripin e Gazës ndërsa ushtria izraelite dislokoi përforcime në bregun e okupuar perëndimor. Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, tha se Jerusalemi nuk është në shitje. Të dielën, qeveria Izraelite do të mbajë një votim për aneksimin e 30 % të bregut të okupuar perëndimor. Izraeli ka vendosur 400 mijë hebrenj në kolonitë në bregun perëndimor, me 200 mijë të tjerë që jetojnë në Jerusalemin lindor. Kolonitë konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, pavarësisht se Izraeli e kundërshton këtë.