Maqedoni
Rasti “Zhvatja”, Boki 13 në sulm kundër prokurores Ruskoska
29.01.2020 16:42
I akuzuari i parë në rastin “Zhvatja”, Bojan Jovanovski, kërkon përjashtimin nga rasti të prokurores, Villma Ruskoska...

I akuzuari i parë në rastin “Zhvatja”, Bojan Jovanovski, kërkon përjashtimin nga rasti të prokurores, Villma Ruskoska, për të cilën thotë se ka dëshmi të pakontestueshme për korrupsion, që, sipas tij, peshon katër milionë euro. Jovanovski nuk shpjegoi se për çfarë dëshmish konkretisht bëhet fjalë, por kërkoi këshillë nga gjykatësja, Vaska Nikollovska – Masevska, se ku dhe si të bëjë denoncimin përkatës. Njësoj si në seancat paraprake, Boki 13 nuk harroi të përmend sundimin e ligjit dhe të citojë nenet e Kushtetutës. U ankua se prokuroria dhe gjykata po tallen me të duke e sorollatur sa në një organ në tjetrin.
“Ndihem i diskriminuar. Më dërgove në prokurori dhe prej andej organi më i lartë i sistemit të ndjekjes publike më këshilloi publikisht që të drejtohem përsëri në gjykatë. Kjo është një shkelje flagrante e të drejtave të mia dhe ligjit. A duhet pra që për personin Villma Ruskovska, të ngre padi te prokurorja, Villma Ruskovska?”,- tha Bojan Jovanovski.
Jovanovski këmbëngul se është në gjendje të vështirë shëndetësore. Mbrojta e tij ende nuk e ka të qartë se përse ai është në paraburgim në Shutkë derisa të akuzuarit e tjerë janë lëshuar në paraburgim shtëpiak.
“A nuk iu duket edhe ju si diskriminim, dy të tjerë janë të dënuar me masa më të lehta ndërsa më i sëmuri në këtë lëndë ka paraburgim gjyqësor. Gjithmonë i njëjti arsyetim, situata familjare, rrezik nga arratisja etj. Ankesa e fundit ishte vetëm arratisja, por nuk e di pse ekziston masa e paraburgimit deri tani.”,- tha avokati i Bojan Jovanovskit, Sashko Dukovski.
Dëshmoi edhe gazetarja, Lila Stojanovska, e cila shpjegoi se ka ndihmuar Boki 13 me një shumë prej 25 mijë euro dhe ia ka huazuar 500 mijë denarë. Por, nuk deshi të deklarohej para mediave më shumë se sa tha në gjykatë.
“Të jem e sinqertë, atë që kisha për ta thënë e thashë brenda, nëse filloj ta them edhe këtu, do të dalë ndonjë keqkuptim, unë e thashë të vërtetën brenda.”,- theksoi dëshmitarja, Lila Stojanovska.
Dëshmoi edhe menaxherja e kompanisë nga janë blerë mobilet për TV1. Sipas saj, televizioni i ka mbetur borxh kompanisë 196.000 denarë, por një e punësuar te Boki 13, pas padisë për borxh nga ana e “Zona Mebel”, ka sjellë 2.700 si garanci për borxhin.
GAZMEND REXHEPI
