Maqedoni

Pr/ligji për ajrin ambiental, Nuredini: Të detyrojmë komunat për plane veprimi

29.01.2020 17:00

Komisioni Kuvendor për Çështje Evropiane e ka miratuar propozim ligjin për kualitetin e ajrit ambiental....

Ministri i ambientit, Naser Nuredini, në elaborimin paraprak tha se propozim-ligji përmban një sërë masash, që janë propozuar nga Ministria e Ambientit, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Ministria e Transportit. Po ashtu masat që prekin sektorin e biznesit janë sjellë në konsultim me këtë sektor, tha ministri. Përderisa presin shi ose erë për të përmirësuar cilësinë e ajrit, qeveria me ligj do t'i detyrojë komunat të hartojnë plane veprimi me një sërë masash kundër ndotjes.
 
“Sipas Ligjit për Ajrin Ambiental, çdo komunë me një popullsi mbi 35,000 banorë duhet të vejë në dispozicion të gjitha burimet dhe të specifikojë masa afatshkurta dhe afatmesme për ndotjen e ajrit dhe mbrojtjen e grupeve të prekshme të popullsisë, përfshirë fëmijët. Zbatimi i planeve do të jetë nën autoritetin e Inspektoratit Shtetëror Komunal.”,- deklaroi ministri i ambientit jetësor, Naser Nuredini.
 
VMRO-DPMNE: Qeveria të gjejë mënyrë të subvencionojë komunat
 
Por, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Zoran Ilijoski, paraqiti disa vërejtje rreth propozim-ligjit. 
 
"Duhet të gjendet mënyrë që të gjitha komunat të bëjnë plane për t’u përballur me masat në rastet kur ka ajër të ndotur dhe Ministria e Ambientit duhet të gjejë mënyrë t’i subvencionojë ato, që të mos lejohet asnjë komunë të mos ketë plan të tillë.",- u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Zoran Ilijoski.
 
Opozita këmbëngul se duhet menduar edhe për rritjen e dënimeve për ndotësit, e jo për uljen e tyre.
 
GYLTENE SINANI