Maqedoni
Shfuqizohen masat për ndotjen e ajrit, Makraduli: Bëhet panik me sensorë Ali Ekspresi
29.01.2020 17:31
Prej kësaj të mërkure në Shkup nuk vlejnë më masat kundër ajrit të ndotur....

Shiu dhe era pastruan ajrin dhe autoritetet rikthyen gjendjen normale. Zëvendësministri i ekologjisë thotë se ajri nuk është aq i ndotur sa alarmohet, e i konsideron si të pasakta të dhënat mbi matjen e cilësisë së ajrit që publikohen në rrjetet sociale.
“Për ne, ashtu si për të gjithë vendet anëtare të BE-së, të dhënat, përcaktimi i politikave bëhen mbi monitorimin e sistemit të shtetit dhe aparateve matëse të cilat kushtojnë shumë shtrenjtë. Me politika të fshehta dhe me sensorë matës të Ali Ekpspresit, mund të bëjmë vetëm panik në mes të qytetarëve.”,- tha zëvendësministri i ekologjisë, Jani Makraduli.
Ndotja e ajrit, mjekët: Ndikon në uljen e imunitetit
Por, megjithëse autoritetet thonë se të dhënat nuk janë të sakta, numri i të sëmurëve tregon të kundërtën. Mjekët thonë se ajri i ndotur ndikon shumë në uljen e imunitetit.
“Efekti negativ i ajrit të ndotur mund të ndikojë keq dhe ta rrisë mundësinë, që jo vetëm gripi të të kapi më lehtë, por edhe të gjitha sëmundjet tjera respiratore, por veçanërisht gripi i cili mund të behet shumë i rëndë duke u shfaqur komplikime të ndryshme dhe është e mundur të kemi edhe raste vdekjesh.”,- theksoi një mjeke.
Ambientalistët: Kornizë më e fortë ligjore dhe dënime
Për të gjetur zgjidhje për uljen e ndotjes, shumë institucione kanë filluar të përdorin pompat termale në vend të naftës për ngrohje. Ambientalistët e përshëndesin ndryshimin e mënyrës së ngrohjes, por thonë se paralelisht duhet të punohet për efikasitetin energjetik.
“Duhet të vendosen korniza më të forta ligjore, nëpër ndërtesat e reja iu është lejuar të të përzgjedhin vetë metodën e ngrohjes, në vend që ata të shfrytëzojnë sistemin ekzistues me ngrohje qendrore, të cilën tashmë e kemi në qytet, e cila përfundimisht është më pak ndotës, shumica përdorin metoda joekologjike. Në të njëjtën kohë duhet të punohet në mbikëqyrjen ekzistuese të industrisë.”,- tha një ambientaliste.
Sipas renditjes botërore, Shkupi edhe këtë dimër shpesh herë është ndër qytetet më të ndotura në botë, në përjashtim të ditëve kur kushtet klimatike ndihmojnë në pastrimin e ajrit.
FARIJE DAUTI BAKIJU
