Maqedoni
Alarm për bombë në City Mall, policia arreston dy persona
29.01.2020 17:50
Një alarm i rrejshëm për bombë në Qendrën Tregtare “City Mall” ka shkaktuar panik te qytetarët dhe të punësuarit në këtë qendër.....

Përmes autoparlantit janë njoftuar të gjithë që ta lëshojnë objektin në mënyrë të qetë. Për shtatë minuta i gjithë objekti është braktisur. Është evakuuar edhe ndërtesa afër “City Mall”-it.
“Njoftimi na tha që të lëshojmë objektin. Nga disa informacione jozyrtare na thanë që ka pasur paralajmërim për bombë. Kjo është hera e parë, deri më tani nuk ka pasur ndonjë paralajmërim për një gjë të këtillë.”,- tha një qytetar.
“Po, të gjithë dolën jashtë. Na thanë që të tërhiqemi anash prej objektit.”,- u shpreh një qytetar.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i policisë dhe ekipeve të tjera të sigurisë. Nga MPB në vendngjarje kanë dërguar menjëherë Njësitin për Anti-terrorizëm të cilët detajisht kanë kontrolluar qendrën tregtare.
“Ekipi që merret me monitorimin e “City Mall” ka denoncuar në MPB se kanë marrë thirrje për bombë të vendosur në Qendrën Tregtare “City Mall” dhe menjëherë janë dërguar ekipe policore dhe njësi speciale të cilat po ndërmarrin hapat e nevojshëm.”,- informojnë nga MPB.
Në vendngjarje kishte shumë ekipe të ndihmës së shpejtë dhe zjarrfikësve. Nga Brigada e Zjarrfikësve informojnë se është shkaktuar një zjarr i vogël, pasi është harruar ndezur një fritezë. Por, ky incident ka kaluar pa dëme. Pas më tepër se një orë kontrollit të anti-terrorit, të punësuarit u rikthyen në vendet e tyre të punës, por jo edhe mediat të cilëve nuk u lejua të hyjnë brenda.
MPB-ka arrestuar dy persona lidhur me paraqitjen e rrejshme për bombë. Janë arrestuar P.C.(19) dhe A.D.(19) dhe pas dokumentimit të rastit do të parashtrohet paraqitje adekuate.
BELINDA KOKA ADEMI
