Maqedoni

Gruevski për vizitë në Çeki

02.10.2014 16:46

Maqedonia është mirënjohëse për mbështetjen që po i jep Çekia në procesin e saj euroatlantik....

Kështu ka deklaruar kryeministri, Nikolla Gruevski, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Republikën Çeke.
 
Dy kryeministrat, Gruevski dhe nikoqiri i tij, Sobotka, i kanë cilësuar si të shkëlqyera marrëdhëniet dypalëshe, ndërsa ky i fundit ka shprehur gatishmërinë e vendit të tij për ta mbështetur edhe më tej Maqedoninë drejt strukturave euroatlantike.
 
“Ne edhe më tej do të jemi aktiv në mbështetjen e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Republika Çeke një periudhë të gjatë po e mbështet Maqedoninë në rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik. Kemi vlerësime pozitive lidhur me përgatitjen e Maqedonisë drejt këtyre organizmave”- deklaroi kryeministri i Çekisë, Bohuslav Sobotka.
 
Ai tha se rrugën e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimeve euroatlantike Republika Çeke e sheh si një rrugë drejt stabilitetit dhe prosperitetit të të gjithë Evropës.
 
“Kemi mbështetje principiele dhe konzistente të Republikës Çeke për fillim sa më të shpejtë të bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në BE sipas tanimë qasjes së praktikuar për zbatimin paralel të bisedimeve për anëtarësim në union dhe zbatimin e dialogut bilateral me vendin anëtar të saj. Maqedonia gjithashtu lart e çmon angazhimin e Çekisë për integrimin evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”- tha kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.
 
Dy kryeministrat janë zotuar për thellimin edhe të marrëdhënieve dypalëshe ekonomike, teksa kanë marrë pjesë në nënshkrimin e një memorandumi për bashkëpunim midis Qendrës për Menaxhim me Kriza të Maqedonisë dhe Shërbimit të Zjarrfikësve të Republikës Çeke.
 
NAIM RAMADANI