Maqedoni

Virusi Korona, alarm edhe në Ballkan, autoritetet gati për rastet eventuale

29.01.2020 18:48

Teksa shqetësimi nga përhapja e virusit Korona, sa vjen e rritet, disa vende të Ballkanit....

Teksa shqetësimi nga përhapja e virusit Korona, sa vjen e rritet, disa vende të Ballkanit kanë nisur të marrin masa paraprake për frenimin e epidemisë, që fillojnë nga fushatat e informimit për mbrojtjen e qytetarëve e deri tek ashpërsimi i kontrolleve në kufi. Duke nisur nga e hëna, vendi ynë ka vendosur kamera termike në aeroportin kryesor ndërkombëtar në Shkup. Autoritetet druhen se infeksioni mund të përhapet me fluturime që vijnë nga Dubai e Stambolli, të cilat udhëtarët që udhëtojnë nga Kina i përdorin jo rrallëherë si transit.
 
Serbia ka shtuar kontrollet në pikat e kalimit kufitar dhe të gjithë udhëtarët nga zonat e infektuara janë të detyruara të raportojnë tek shërbimet epidemiologjike brenda 24 orëve pasi të hyjnë në vend.
 
Në Rumani, Ministria e Shëndetësisë ka krijuar “linja speciale” në aeroporte për udhëtarët që vijnë nga Kina, të cilat janë të pajisura me kamera skanimi termik, të afta të diktojnë pasagjerët e sëmurë. Autoritetet rumune kanë përcaktuar gjithashtu spitalet e qyteteve të mëdha që kanë mundësinë të kujdesen për personat e infektuar. Përpos kësaj, kanë në plan të vënë në karantinë një ansambël të tërë folklorik prej 25 personash të porsakthyer nga Kina.
 
Në Malin e Zi, policia kufitare është duke verifikuar imtësisht pasagjerët që mbërrijnë nga Kina dhe nëse konsiderohet e nevojshme, ato ekzaminohen edhe nga një ekip specialistësh.
 
Autoritetet greke kanë vendosur të ndalojnë udhëtimet e organizuara turistike nga Kina në Greqi.
 
Italia gjithashtu ka marrë masa të rrepta në aeroporte ku pasagjerët kontrollohen me kujdes për simptoma të virusit.