Maqedoni
Debat mbi edukimin financiar të rinisë
02.10.2014 16:50
Në takimin e tretë rajonal vjetor të Organizatës Ndërkombëtare për Edukim Financiar të Fëmijëve dhe të Rinjve për Evropën dhe Azinë Qendrore që po mbahet në Shkup...
Në takimin e tretë rajonal vjetor të Organizatës Ndërkombëtare për Edukim Financiar të Fëmijëve dhe të Rinjve për Evropën dhe Azinë Qendrore që po mbahet në Shkup, të rinj nga e gjithë bota, por edhe institucione financiare dhe ekspert të kësaj lëmije u përqendruan në rëndësinë që ka edukimi financiar i të rinjve.
Guvernatori i Bankës Popullore, Dimitar Bogov, me këtë rast thekson rëndësinë e edukimit financiar të të rinjve nga institucionet arsimore.
“Qëllimi i këtyre takimeve, i kësaj nisme është nxitja e vetëdijes në botë për nevojën e edukimit financiar dhe inkluzionit financiar të të rinjve. Kriza financiare e vitit 2008 dëshmoi se ka plasaritje të mëdha, mangësi të mëdha në sistemin botëror financiar. Disa prej tyre mund të mbyllen me arsimim më të madh financiar. Njëri nga pjesëmarrësit e rinj në fillim të sesionit tha se në shkollë na mësojnë për literaturë, poezi, matematikë, histori, por nuk na mësojnë si të hapim llogari bankare, si të marrim kredi nga banka, si ta fillojmë biznesin tonë”- deklaroi guvernatori i Bankës Popullore, Dimitar Bogov.
Kjo, sipas guvernatorit Bogov, na nxit të angazhohemi për përmirësimin e sistemeve tona dhe të punojmë për krijimin e më shumë vendeve të punës dhe ardhmëri më të mirë për të rinjtë. Ngritja e edukimit financiar te të rinjtë është tejet e rëndësishme, thekson Petrit Balija nga Shoqata e Bankave të Kosovës.
“Shpresoj të kemi mbështetje që nga Banka Qendrore, Bankat Komerciale, Ministria e Arsimit dhe të gjitha instancat tjera relevante, në mënyrë që të rinjtë tanë, fëmijët e Kosovës të jenë të edukuar nga aspekti financiar, që të kenë një jetë dhe një të ardhme më të mirë”- u shpreh drejtori i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija.
Në takim, pikat e tyre për krijimin e mundësive të qëndrueshme ekonomike për të rinjtë sot dhe nesër do t’i prezantojnë edhe 65 të rinj nga Evropa dhe Azia Qendrore.
GYLTENE SINANI
