Maqedoni
Janakievski: Çmime të ulëta për banesat që shfrytëzohen pa leje
02.10.2014 16:52
Deri në muajin shtator të vitit të ardhshëm, qeveria planifikon ta zgjidhë statusin e parregulluar të mbi 2.400 banesave, të cilat shfrytëzohen pa leje në bazë të pronësisë ose me qira...
Sipas kushteve që i konfirmoi qeveria në seancën e fundit, personat të cilët jetojnë në banesa të tilla, më së voni deri më 31 mars të vitit të ardhshëm do të duhet të deklarohen nëse do të arrijnë marrëveshje për qira ose do t'i blejnë, në të kundërtën, automatikisht do të marrin vendim për qira.
Kështu u shpreh ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski, duke shtuar se vlera e çmimit gjatë qirasë dhe pjesëmarrja gjatë blerjes do të formohet varësisht nga të ardhurat e përgjithshme të familjeve të cilat i shfrytëzojnë banesat.
“Përderisa deri më 31 mars personat të cilët jetojnë në banesat dhe nuk deklarohen për qira ose për blerje, atëherë edhe për këta edhe për banorët pa leje edhe për banesat shoqërore në fuqi të ligjit me vendim do t'u japim qira. Për momentin ka një numër të madh të qytetarëve të cilët as nuk kanë qira të banesave e as nuk japin kërkesë për blerje dhe aspak nuk paguajnë ndaj shtetit”- tha ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski.
Kushtet për qira ose blerje të banesave për persona me të ardhura të ulëta, sipas vendimit të qeverisë, janë ndarë në katër grupe, gjegjësisht për persona me rrezik social, me të ardhura të ulëta, me të ardhura mesatare dhe me të ardhura të larta. Varësisht nga grupet, përcaktohet vlera e qirasë dhe pjesëmarrjes për kredi gjatë blerjes.
Me status të pazgjidhur juridik, sipas evidencës së institucioneve janë 851 banesa për persona me të ardhura të ulëta, të ndërtuara dhe të ndara nga viti 2000, 770 banesa shoqërore nga koha e IRJ-së, të cilat shiten nga viti 1991 e deri më tani, si dhe rreth 800 banesa të banuara pa leje.
BESIM ABDULLAI
