BE e la të ikë Britaninë, por periudha e vështirë e transicionit pason
Bashkimi Evropian e la të ikë Mbretërinë e Bashkuar....

Bashkimi Evropian e la të ikë Mbretërinë e Bashkuar. Me votimin përfundimtar, të mërkurën në Parlamentin Evropian, divorci - i njohur si Brexit - merr fund të premten. Në një seancë në Bruksel, të ngarkuar edhe me emocione, ligjvënësit votuan me 621 vota për dhe 49 kundër Brexit-it.
“Ne do t’ju duam gjithmonë dhe kurrë nuk do të jemi larg”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke iu adresuar ligjvënësve britanikë. Pas Brexit-it, më 31 janar, do të nisë periudha e transicionit midis BE-së dhe Britanisë, gjatë së cilës palët do të diskutojnë marrëdhëniet e ardhshme tregtare. Transicioni pritet të zgjasë së paku deri më 31 dhjetor, 2020.
“Tani e tutje bëhet fjalë për partneritetin tonë të ri me Mbretërinë e Bashkuar. Negociatat do të nisin dhe për të qenë e qartë: Unë dua që Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar të mbeten miq të mirë dhe partnerë të mirë. Bëhet fjalë për miq të vjetër dhe fillime të reja”, tha von der Leyen.
Vendet e BE-së janë të përgatitura edhe për mundësinë që bisedimet për marrëveshje të re tregtare me Britaninë të mos kenë sukses deri në fund të vitit.
