Maqedoni
Shkup, dështoi mbledhja e komisionit për gjuhën shqipe
02.10.2014 16:57
Mbledhja e parë e Komisionit për Tejkalimin e Mosmarrëveshjeve Ligjore për Përdorimin e Gjuhës Shqipe përfundoi pa sukses...

Anëtarët shqiptarë dhe ata maqedonas, të cilët kanë për detyrë të gjejnë zgjidhje për përdorimin e gjuhës shqipe në Shkup, në asnjë moment nuk kanë arritur të përafrojnë qëndrimet e tyre.
Anëtari i komisionit, Naser Zyberi, thotë se anëtarët maqedonas thirren në një rregullore të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve për emërimin e bulevardeve, rrugëve dhe urave. Sipas ekspertëve juridik shqiptarë, kjo rregullore është në kundërshtim me kushtetutën.
“Ky akt normativ i Ministrisë së Transportit është jo i plotë, është në kundërshtim me Ligjin për Qytetin e Shkupit, në kundërshtim me Ligjin për Përdorimin e Gjuhës që Flasin mbi 20 % të Qytetarëve, është në kundërshtim me Kushtetutën e Maqedonisë. Në qoftë se në kushtetutë është thënë se në vendet ku jetojnë mbi 20% të përkatësisë tjetër etnike gjuhë zyrtare është edhe gjuha dhe shkrimi i tyre, ndërsa Shkupi është definuar si i tillë, atëherë mendojmë se kjo problematikë duhet të zgjidhet në mënyrë dygjuhësore dhe kjo çështje duhet mbyllur në këtë mënyrë. Fatkeqësisht pala maqedonase këmbëngul në implementimin dhe zbatimin e kësaj rregullore të Ministrisë së Transportit, e cila e apstrahon ekzistimin e qytetit të Shkupit dhe përdorimin e dygjuhësisë në këtë lëmi”- deklaroi anëtari i grupit punues, Naser Zyberi.
Rami Qerimi, anëtar tjetër i grupit punues, udhëzon që institucionet kompetente t’i shfrytëzojnë rrugët tjera juridike që ky akt normativ i Ministrisë së Transportit, në të cilin thirret pala maqedonase, të dëshmohet se është në kundërshtim me aktin më të lartë juridik në vend.
“E vetmja zgjidhje është që institucionet përkatëse t’i drejtohen ose Komisionit Parlamentar për Interpretimin Autentik të Ligjit, posaçërisht të Ligjit për Emërtimin e Rrugëve, Shesheve dhe Urave. Mundësia tjetër është kërkesa e kolizionit të ligjeve, që mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Varianti tjetër është që eventualisht në kuadër të qeverisë të ngrihet iniciativë për ndryshimin e Ligjit për Emërtimin e Rrugëve, Shesheve dhe Urave”- tha anëtari i grupit punues, Rami Qerimi.
Problemi qëndron aty se akti normativ i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve nuk flet për Qytetin e Shkupit si njësi e veçantë e vetadministrimit lokal dhe kjo shkakton problem në implementimin e mëtutjeshëm dhe zbatimin e këtij vendimi.
SANIJE KASAMI
