Maqedoni
Ruskoska i përgjigjet Jovanovskit: Paraqiti në polici dëshmitë për korrupsion
30.01.2020 17:21
Gjithkush që posedon dëshmi për vepra penale, atë mund ta paraqesë tek shërbimet policore...

Gjithkush që posedon dëshmi për vepra penale, atë mund ta paraqesë tek shërbimet policore, theksoi prokurorja publike, Villma Ruskoska, lidhur me akuzat e Bojan Jovanovskit se ai do të parashtrojë padi penale, pasi siç ka theksuar ai, posedon dëshmi për përfshirjen e Ruskoskës në korrupsion prej 4 milion eurosh.
“E inkurajoj gjithsecilin që ka dëshmi për këdo të paraqesë në shërbimet policore. Nuk dyshoj se policia në mënyrë profesionale do të kryejë punën e saj.”,- tha prokurorja publike, Villma Ruskoska.
Lidhur me deklarimin e prokurores, Lile Stefanova, për gjoja sjelljen joprofesionale të gjykatëses, Dobrilla Kacarska, sa i përket paraburgimit për Kamçevin, Ruskoska tha se një çështje e tillë mund të paraqitet në Këshillin Gjyqësor, e jo pas një viti e gjysmë të thuhet në seancë gjyqësore.
Ndërsa sa i përket konfiskimit nga shtëpia e prindërve të Jovanovskit dhe banesës së tij në Orman të këpucëve dhe garderobës së shtrenjtë, ashtu si edhe ari, suaza, elemente svarovski, orë Rolex, telefona të shtrenjtë etj, Ruskovska thotë se ato janë blerë si rezultat i veprës penale “larje parash”.
“Vlerësojmë se e gjithë kjo që është blerë është si rezultat i veprës penale “larje parash” dhe për këto arsye parashtrohen këto dëshmi.”,- tha prokurorja publike, Villma Ruskoska.
Ndërkohë, pas shqyrtimit të plotë nga prokurorja, Gordana Smaqovska, pritet të vazhdojë edhe procedura gjyqësore për rastin "Perandoria" prej ku dhe ka filluar "Zhvatja".
FLORIJE BELULI KAMBERI
