Maqedoni

Autoritetet shëndetësore: Në RMV nuk ka të prekur nga virusi Korona. Kinë, 170 të vdekur nga virusi Korona

30.01.2020 18:01

Brenda katër ditësh në kamerën termale në aeroportin e Shkupit kanë kaluar rreth 2000 pasagjerë nga Dubai dhe Stambolli...

Brenda katër ditësh në kamerën termale në aeroportin e Shkupit kanë kaluar rreth 2000 pasagjerë nga Dubai dhe Stambolli, por nuk janë evidentuar raste të personave të prekur me simptoma të virusit Korona, thonë zyrtarët shëndetësorë. 
 
“Jemi siguruar nga disa anë, kemi komunikim të përditshëm me Drejtorinë për Fluturime Civile që ka lidhje direkte me avio kompanitë dhe na njoftojnë paraprakisht nëse gjatë fluturimeve mund të presim udhëtarë që vijnë nga Kina. Udhëtarë të tillë në vendin tonë nuk kanë ardhur dhe nuk pritet të vijnë, por për çdo rast do të realizohet skriningu.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
“Sot është dita e katërt që ekipet e Qendrës për Shëndet Publik janë këtu dhe bëjnë kontrollin e të gjithë udhëtarëve që vijnë nga Stambolli dhe Dubai, dhe diku mbi 2 mijë udhëtarë janë monitoruar deri më tani. Te asnjëri nuk ka pasur shenja për ndonjë shqetësim.”,- tha drejtori i Qendrës së Shëndetit Publik, Arben Ziberi.
 
Por, derisa autoritetet shëndetësore në vend thonë se nuk ka hapësirë për panik tek qytetarët e Maqedonisë së Veriut nga koronavirusi, autoritetet shëndetësore në Kinë bëjnë të ditur se 170 njerëz kanë humbur jetën nga po i njëjti virus.
 
Sipas tyre, virusi Korona ka prekur secilin rajon të Kinës, ndërsa numri i rasteve të infektuara ka kaluar 7,700. Raste me këtë virus janë raportuar edhe në së paku 16 vende të tjera.
 
Virusi Korona, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në dhjetor të vitit të kaluar në qytetin Vuhan të Kinës. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI