Maqedoni
Përmirësohet infrastruktura në Saraj
02.10.2014 17:16
Zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi, i shoqëruar nga ministri i Pushtetit Lokal, Lirim Shabani dhe kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati...

Zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi, i shoqëruar nga ministri i Pushtetit Lokal, Lirim Shabani dhe kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati, nga afër mbikëqyrën fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës që lidh fshatrat Gllumovë-Arnaqi. Ky projekt mbështet nga qeveria, konkretisht nga Agjencia për Zhvillim Rural dhe Komuna e Sarajit. Projekti në fjalë kap vlerën prej rreth 14 milionë denarë.
Zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi, u shpreh se nëpërmjet projekteve kapitale infrastrukturore, që mbështeten nga qeveri, Saraji po urbanizohet dhe po ndryshon.
“Pavarësisht kritikave, ne do të vazhdojmë me realizimin e projekteve infrastrukturore. Dëshmia është se Saraji po fillon të urbanizohet, duke pasur parasysh se ndërtohen edhe objekte komerciale, shkolla, duke filluar nga filloret dhe të mesmet. Këto rrugë që ndërtohen, do t’i lidhin këto vendbanime dhe unë besoj se Komuna e Sarajit ka perspektivë edhe në zhvillimin e turizmit. Projekti më kapital, që pritet të realizohet, është urbanizimi i liqenit të Treskës, që të mundësohet të ketë më shumë vizitorë”- deklaroi zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi.
“Ne si Ministri e Pushtetit Lokal, kemi një bashkëpunim të mirëfilltë me të gjitha komunat e në veçanti me Komunën e Sarajit. Gjithsesi, ne në vepër tregojmë bashkëpunimin dhe zotimet tona që i kemi pasur si pushtet qendror dhe lokal”- tha ministri i Pushtetit Lokal, Lirim Shabani.
Kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati, thotë se për realizimin e këtij projekti Komuna e Sarajit ka ndarë 20 për qind të mjeteve.
“Mjetet janë siguruar nga Qeveria e Maqedonisë, faktikisht kjo është faza e dytë e këtij projekti. Faza e parë kap vlerën prej 3,5 milion denarë, ku është asfaltuar një rrugë në Kondovë, ndërsa faza e dytë është asfaltimi i kësaj rruge që lidh dy fshatra, Gllumovën dhe Arnaqinë dhe kap vlerën prej rreth 10 milion denarë”- u shpreh kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati.
Punimet për ndërtimin e kësaj rruge është duke i zhvilluar Kompania “Eskavatori”, ku sipas tyre, punimet do të finalizohen në fund të muajit tetor.
AFRIM TANALLARI
