Botë

Shpërthime në një fabrikë në Bullgari, 15 të vdekur

02.10.2014 17:18

Dy shpërthime janë regjistruar në veri të kryeqytetit të Bullgarisë, në Sofje, nga të cilët kanë humbur jetën 15 persona...

Shpërthimet kanë ndodhur në një fabrikë municionesh, me ç’rast janë plagosur edhe tre gra, të cilat në çastin e shpërthimit kanë qenë afër ndërtesës, por ato janë jashtë rrezikut për jetën. 
 
"Mbaruam punën dhe ishim duke shkuar në shtëpi, në daljen, në anën tonë   ndodhi një shpërthim i tmerrshëm, siç ishim duke qëndruar diçka ra mbi  mua, diçka më goditi. Unë nuk mbaj mend ndonjë gjë tjetër, e kisha humbur vetëdijen”- u shpreh punëtorja e lënduar në fabrikë, Zhasmina Stoyanova.
 
"Ne vazhdojmë t’i kërkojmë shkaqet e shpërthimit, kërkojmë informacione njeri më njeri dhe për çdo të re do të ju informojmë”- tha ministri i Brendshëm, Jordan Bakalov.
 
"Viktimat janë 12 punëtorë dhe 3 të punësuar  në menaxhment, secili njeri është shumë i rëndësishëm, sepse çdo njeri ka të afërmit e tij dhe vendi ku punon duhet të jetë 100% i sigurt. Është për të ardhur keq, për momentin ne nuk mund të hymë brenda dhe ne nuk mund të themi ndonjë gjë tjetër"- theksoi ministri Hristoskov.
 
Shpërthimi i parë në fabrikën e municionit është shënuar rreth orës 17:00 dhe shpërthimi i dytë në orën 21:45.
 
Nuk dihet ende me saktësi shkaku i vërtetë i këtyre shpërthimeve, por mendohet se shkak janë bërë 10 ton kimikate me nivel të lartë shpërthyes që ruheshin në fabrikë.
 
Nuk është hera e parë që në këtë fabrikë ndodhin shpërthime, pasi janë shënuar edhe të tjera në vitet 2007 dhe 2010, por pa shkaktuar viktima.
 
Fabrika ku kanë ndodhur shpërthimet gjendet 120 km në veri të Sofjes dhe shërben për shkatërrimin e rezervave të municioneve të vjetra të ushtrisë bullgare. Për të monitoruar situatën, qeveria ka vendosur në dispozicion një ekip të pajisur me makina të blinduara.
 
Punëtorët thonë se frikësohen të hyjnë në fabrikë, sepse mund të ndodhin edhe shpërthime të tjera.
 
FARIJE DAUTI-BAKIU