Botë

Kriza politike në Kosovë vazhdon të thellohet

02.10.2014 17:21

Nuk mbajtën seancë, por nga foltorja e kuvendit lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ai i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i AAK-së, Ramush Haradinaj...

Nuk mbajtën seancë, por nga foltorja e kuvendit lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ai i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, kanë shprehur mospajtimin e tyre me anulimin e seancës së sotme kuvendore nga kryesuesja, Flora Brovina, në të cilën ishte paraparë të bëhet zgjedhja e kryetarit të kuvendit. 
 
“Nuk jemi këtu të mbajmë seancë, sepse ata që e kanë marrë një mandat, ata po i frikohen parlamentit, po i frikësohen seancës, por jemi për të shprehur papajtueshmërinë tonë të plotë”- deklaroi Isa Mustafa nga LDK.
 
“Republika organizohet rreth shumicës së tërësisë, e shumica e tërësisë jemi ne që me procedura të partizuara po parandalohet që ta bëjmë konstituimin e legjislaturës së pestë… Rrjedhimisht, në javën e ardhshme jemi ne ata të cilët bashkërisht, si përfaqësues të popullit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet demokratike, do të vazhdojmë me punë në institucionet tona dhe kësisoj në javën e ardhshme do ta kemi gjithashtu seancën e radhës”- tha Albin Kurti nga VV.
 
“Jemi përcaktuar të ftojmë vazhdimin e seancës konstituive me nënshkrime, do të ndodh kjo seancë dhe jemi të përcaktuar me i dhënë kuvendit, kryetarin, kryesinë dhe vendit institucionet”- u shpreh Ramush Haradinaj nga AAK.
 
“Jam i bindur se sot shumëkush ka pritur dhe pret që ne këtu do të bëjmë një tip të revolucionit. Ata që nuk ia duan të mirën demokracisë dhe vendit tonë, Kosovës, kanë pritur që sot këtu do të bëhet diçka që do të kishte pasoja”- theksoi Fatmir Limaj nga Nisma për Kosovën.
 
Por, nga PDK kanë vlerësuar se deputetët, që ishin sot në sallën e kuvendit pa autorizim, po i bëjnë injorim eklatant procesit të zgjidhjes së këtyre çështjeve përmes takimeve me presidenten. PDK, do të veprojë vetëm në pajtim me kushtetutën për zgjidhjen e kësaj çështjeje, ka thënë Memli Krasniqi nga PDK, pas mbledhjes së sotme të kryesisë partiake. 
 
Ndërkohë, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në përpjekje për të zgjidhur ngërçin politik edhe sot ka takuar ndaras liderët partiak, por bazuar në deklaratat pas takimeve, dy blloqet sërish kanë mbetur në qëndrimet e tyre.
 
NAIM SINANI