Maqedoni
Gjykimi për rastin "Zhvatja", vazhdon prezantimi i dëshmive materiale
31.01.2020 16:21
Në procesin gjyqësor për rastin "Zhvatja", edhe gjatë ditës së sotme janë prezantuar dëshmi materiale...

Në procesin gjyqësor për rastin "Zhvatja", edhe gjatë ditës së sotme janë prezantuar dëshmi materiale të konfiskuara nga shtëpitë e të akuzuarve.
Dëshmitë u prezantuan përmes fotografive, ndërsa në shtëpinë dhe banesën e Bojan Jovanovskit, në Orman dhe Taftalixhe, janë gjetur katër pistoleta, municion, numër i madh i garderobës së brenduar si “Lui Viton”, “Dolçe Gabana”, “Versaçe” dhe brende të tjera, bankënota nga 50 euro, ndërsa akoma nuk ka përfunduar prezantimi i dëshmive materiale.
Avokati i Jovanovskit, Sasho Dukovski, tha se gjësendet janë konfiskuar nga banesa e Jasna Mandiq dhe jo Bojan Jovanovskit, pasi që i njëjti nuk ka qenë prezent gjatë bastisjes.
Më pas u prezantuan edhe gjësendet e konfiskuara nga shtëpitë e të akuzuarës, Katica Janeva, në Shkup dhe Gjevgjeli, si dhe nga zyra e saj në PSP.
Në hapësirat e shtëpisë së saj janë gjetur disa pajisje për ushtrime, ndërsa janë konfiskuar edhe llap-topë, fletore me shënime etj.
Përveç se aty gjendej i shkruar emri i Bojan Jovanovskit, asgjë më tepër nuk di as mbrojtja, pasi që sipas tyre nuk i posedojnë këto dëshmi.
“Siç e patë edhe në reagimin tonë, edhe ne nuk i posedojmë këto dëshmi, i kërkuam dhe duhet të shohim se për çfarë bëhet fjalë.”,- deklaroi avokatja mbrojtëse, Irena Frçkovska.
Duke u bazuar në mbishkrimet e djeshme, avokatja Frçkovska sqaroi se çanta “Lui Viton”, që është konfiskuar nga Janeva, nuk është e njëjta me atë që e përmend dëshmitari.
Gjykimi për “Zhvatjen” do të vazhdojë më 6 shkurt.
FLORIJE BELULI KAMBERI
