Maqedoni

U hap pika kufitare Bellanoc – Stançiç. Qytetarët: Kaq vite e presim, më në fund realitet. Autoritetet: Model i bashkëpunimit ndërfqinjësor

31.01.2020 17:17

Më në fund u hap edhe zyrtarisht pika kufitare Bellanoc – Stançiç, e cila lidh Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën...

Qytetarë të shumtë nga të dy anët e kufirit morën pjesë në përurimin e pikës së re lidhëse mes tyre, që shkurton ndjeshëm kohën e udhëtimit nga Kumanova deri në Gjilan e anasjelltas.
 
Kishte madje qytetarë që kishin ardhur nga shumë larg  vetëm për të qenë dëshmitarë të kësaj dite të shënuar.
 
“Quhem Xhezmi Suljemani, vij nga Austria special për hapjen e kufirit, urime të gjithëve, është bërë shumë mirë që u hap kufiri tash, në Gjilan shkojmë shumë më shpejt”,- tha një qytetar. 
 
“Kjo është një punë shumë e mirë, me e lidh popullin, familjarët. Rruga shkurtohet për kalimin e mallrave dhe njerëzve, në të gjitha aspektet është punë shumë e mirë.”,- theksoi një qytetar.
 
“Sot, është një kënaqësi shumë e madhe, pasi që u hap ky kufi, i pritur me vite dhe besoj se tani kjo do të jetë një nyje që do të lidh popullatën dhe lëvizja do të jetë e lirë.”,- theksoi mes tjerash një qytetar.
 
Edhe autoritetet nga të dyja vendet potencuan se hapja e kësaj pike kufitare, është e një rëndësie të madhe jo vetëm për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave, por  për të shërbyer edhe si model i një bashkëpunimi të mirë ndërfqinjësor.
 
“Pika kufitare dhe lehtësimi i komunikimit janë potencial i shkëlqyeshëm për zhvillimin e lidhjeve të biznesit, për avancimin e ekonomisë së komuniteteve lokale të këtij rajoni ku lidhen RMV dhe Kosova”,- tha kryeministri teknik i RMV-së, Oliver Spasovski.
 
“Ajo që vetëm para 3 viteve dukej si projekt i dështuar, i prolonguar apo i lënë në harresë, së bashku me kolegun Enver Hoxhaj, zgjatëm dorën dhe dhamë besën se do të bëjmë çmos që këtë kalim kufitar ta bëjmë realitet.”,– u shpreh zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
 
Realizimi i këtij projekti implikonte harmonizimin e aktiviteteve sipas legjislacionit të dy shteteve, koordinim të institucioneve të dy shteteve, por edhe përmbushje të të gjitha kritereve evropiane gjatë realizimit të tij, duke pas parasysh se mjetet për këtë projekt janë të siguruara përmes fondeve IPA, të dedikuara për dy vendet.
 
“Kjo pikë kufitare flet edhe për diçka tjetër në rrafshin politik, është një lloj gurthemeli i mirëfilltë i bashkëpunimit të shkëlqyeshëm që kemi mes Prishtinës dhe Shkupit, mes RMV-së dhe RKS”, - theksoi zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj.
 
Padyshim që benfitin parësor kësaj pike kufitare do ia ndjejnë komunat buzë saj. Krerët e tyre presin që vendkalimi të ndikojë ndjeshëm në rritjen ekonomike në këto zona.
 
“Sot, realizohet një projekt kapital që ka për qëllim qarkullimin e lirë të njerëzve të të dyja zonave, gjithashtu do të shërbejë edhe për zhvillimin ekonomisë lokale, ku të dyja zonat do të gjallërohen.”,- u shpreh kryetari i komunës së Likovës, Erkan Arifi.
 
“Ky trekëndësh kufitar në “Majën e Zezë”, historikisht i ka bashkuar njerëzit e malësisë së Karadakut. Ka qenë e paimagjinueshme kjo ditë e bardhë e cila na jep mundësi që për vetëm 30 minuta të shkojmë në Kumanovë, në Korridorin Ndërkombëtar 10, në aeroport, por edhe në Shkup.”,- theksoi  kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.
 
Pika e  integruar kufitare kap një vlerë prej 1.2 milion euro. Ajo është e ndërtuar me mjete nga fonde IPA të BE-së dhe shteti ka participuar me 10%.
 
Asfaltimi i rrugës Sllupçan – Bellanoc në gjatësi prej 15 km, ka kushtuar 6 milion euro tërësisht mjete buxhetore.
 
Në 6 muajt e parë kjo pikë kufitare do të shërbejë vetëm për qarkullim të qytetarëve, kurse pas gjashtë muajve edhe për kamionë  për transportimin e mallrave deri në tre ton e gjysmë.
 
FATLUM AQIFI