Maqedoni

Pr/ligj për Prokurorinë Publike, grupet e punës shqyrtuan pjesë të amendamenteve. Deskoska: VMRO, vërejtjet t’i shndërrojë në amendamente. Milloshovski: Ekspertët drejtpërdrejt të ndikojnë në ligj. Grubi: Gjuha shqipe të reflektohet në punën e Prokurorisë

31.01.2020 18:06

Grupet e punës për dakordimin e propozim Ligjit për Prokurori Publike, në përbërje të zgjeruar...

Grupet e punës për dakordimin e propozim Ligjit për Prokurori Publike, në përbërje të zgjeruar, shqyrtuan pjesë të amendamenteve të dala nga vërejtjet e ekspertëve, por pa qëndrim konkret, pasi munguan amendamentet e VMRO – DPMNE-së.
 
Ministrja e drejtësisë Renata Deskoska ftoi opozitën maqedonase të dorëzojë amendamentet deri nesër në mesditë, që të hënën të finalizohet versioni përfundimtar i tekstit ligjor.
 
“VMRO-DPMNE nuk dorëzoi amendamentet e tyre, por lexuan vërejtjet të cilat dolën nga debati publik. Ne hapëm debat për qëndrimet e ekspertëve të caktuar dhe pamë se I lexojmë ndryshe qëndrimet e caktuara. Andaj kërkuam nga ata të përgatisin amendamente, njëjtë sikurse grupet e tjera parlamentare dhe këtë ta bëjnë deri nesër në mesditë. Nëse kanë qasje konstruktive në procesin e miratimit të ligjit , këtë edhe do ta bëjnë.”,- deklaroi ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska.
 
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski, hedh poshtë mundësinë që vërejtjet e ekspertëve t’i shndërrojnë në amendamente, pasi do të politizohej çështja dhe do të ulej konsensusi.
 
Për arritjen e një konsensusi më të gjerë në kuvend, Milloshovski propozon që ekspertët direkt të ndikojnë në riparimin, sipas tyre, të tekstit të cunguar ligjor.
 
“Nëse ministria e drejtësisë ka vullnet politik që këtë temë sa më pak ta politizojë, do të ishte mirë që si institucion kompetentë, të thërrasë këta ekspertë dhe me ata duke u bazuar në vërejtjet e tyre profesionale të përpilojnë amendamente të cilat do të gjejnë konsensus më të madh. Nëse shkojmë në politizim të vetë amendamenteve, shanset për arritjen e konsensusit do të jenë më të vogla.”,- u shpreh deputeti i VMRO–DPMNE–së, Antonio Milloshovski.
 
BDI edhe përkundër vërejtjeve të tyre, shprehen pro miratimit të ligjit para shpërbërjes së kuvendit.
 
“Ne i paraqitëm vërejtjet tona dhe dëshpërimin tonë se pse dhjetë amendamentet e miratuara në komisionin për çështje evropiane, në versionin paraprak të ligjit nuk janë përfshirë edhe në këtë ligj aktual, dhe kërkuam ndërhyrje në këto dispozita duke përfshirë edhe përdorimin e gjuhës shqipe si dhe uljen e kritereve për zgjedhjen e prokurorëve publik.”,- theksoi deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
 
Takimet e grupeve të punës për përafrimin e qëndrimeve pritet të vazhdojnë, pasi hapësira kohore për miratimin e ligjit sa vjen e ngushtohet meqë parlamenti do të shpërbëhet më 12 shkurt.
 
MERAL ISMAILI