Maqedoni

Pak projekte shqiptare konkurrojnë në ministrinë e kulturës

02.10.2014 17:39

Ministria e Kulturës tashmë dy javë ka hapur konkursin për financimin e projekteve kulturore me interes nacional...

Në këtë konkurs mund të konkurrojnë të gjitha institucionet kulturore, teatrot, muzetë, por edhe shtëpitë botuese dhe në shumë kategori edhe individë.  
 
Nga Ministria e Kulturës thonë se edhe në konkursin e fundit vërehen të njëjtat probleme shumëvjeçare për sa i takon paraqitjes së artistëve shqiptarë me projekte. Të gjithë interesohen të pyesin se kur janë konkurset, por shumë pak prej tyre paraqiten me projekte. Më shumë shqiptarët përqendrohen në kategoritë e botimeve dhe të muzikës.
 
“Si çdo vit, Ministria e Kulturës ndan më shumë mjete për botime dhe në sektorin e muzikës, ku shuma e mjeteve është më e madhe krahasuar me njësitë e tjera, gjithashtu kemi edhe në dramë, shoqata të ndryshme joqeveritare apo shoqëri artistike, atje jemi më shumë”- deklaroi përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës, Lulzim Selmani.
 
Konkursi i sivjetmë ka disa ndryshime në mënyrën e aplikimit, sidomos në kategorinë e botimeve.
 
“Sivjet ka një ndryshim, sepse në kategorinë e botimeve sivjet nuk mund të aplikojnë më personat fizikë. Ata të cilët dëshirojnë të aplikojnë për një botim libri, patjetër duhet të konkurrojnë përmes  ndonjë shtëpie botuese. Por edhe këto shtëpi botuese duhet që brenda tre viteve të kenë të botuara 20 tituj”- tha Selmani.
 
Artistët shqiptarë nuk aplikojnë fare në konkursin për të marrë bursa për studime në ndonjë nga fakultetet e artit jashtë Maqedonisë, po ashtu asnjë shqiptar nuk konkurron në konkursin për talente të reja.
 
“Për fat të keq, sa jam prej 8-9 vitesh në ministri, nuk kemi pasur asnjë shqiptar që konkurron në këtë konkurs dhe ne kemi shumë studentë që studiojnë jashtë, në Kosovë apo Shqipëri”- u shpreh Selmani.
 
Aplikimet mund të merren në ueb-faqen zyrtare kultura.gov.mk. Por, në Ministrinë e Kulturës ka këshilltarë shqiptarë të gatshëm për t’i ndihmuar të gjithë ata që kanë vështirësi gjatë aplikimit.
 
RINA TURKESHI-SAHITI