Maqedoni
Dialogu “Zhan Mone 3”, diskutohet rregullorja dhe kalendari
31.01.2020 18:21
Zhvillimet e fundit në vend, finalizimi i reformave të Rregullores dhe Kalendari parlamentar...

Zhvillimet e fundit në vend, finalizimi i reformave të Rregullores dhe Kalendari parlamentar do të jenë tre çështjet kryesore që po diskutohen në fazën e tretë të dialogut “Zhan Mone”, i cili mbahet në Kuvendin republikan.
Në sesionin e parë plenar është diskutuar finalizimi i reformave të Rregullores, ku veç eurodeputetëve kanë diskutuar edhe përfaqësuesit e partive politike.
Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi, ftoi përfaqësuesit e partive politike që të harmonizojnë qëndrimet dhe të miratojnë ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit.
“Sugjeroj që sot dhe nesër të bëjmë përpjekje që sa më shumë që mundet ti afrojmë ose edhe më mirë, ti harmonizojmë qëndrimet rreth kufizimit të Seancës konstitutive në dy ditë, Kalendarit të Kuvendit, debatet mbikëqyrëse, idesë për aprovimin me dy të tretat të ligjeve me procedurë të shkurtuar, zgjedhjes së sekretarit të përgjithshëm dhe gjithsesi, mund të flasim edhe për çështjen e ndryshimit të emrit të shtetit në Nenin 1, për shumicën e heqjes së imunitetit të deputetit dhe tjetër.”,- ka thënë Xhaferi.
Sipas tij, dialogu dhe reforma në rregulloren e Kuvendit është në drejtim të përmirësimit të funksionalitetit të institucionit dhe në favor të përpjekjeve për marrjen e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Konform agjendës, sesioni i parë do të përmbyllet me një mbrëmje zyrtare me liderët e partive politike.
Çështja e Kalendarit parlamentar do të diskutohet gjatë sesioneve të së shtunës, pas së cilave do të prezantohen edhe konkluzionet dhe hapat e mëtejshme të Dialogut “Zhan Mone”.
SHPËTIM NUREDINI
