Maqedoni
“Nuk ka ajër, s’ka qetësi”, protesta kundër mbetjeve të rrezikshme
31.01.2020 18:45
Me moton “nuk ka ajër, nuk ka qetësi” para Kuvendit u protestua kundër importit të mbetjeve të rrezikshme...

Me moton “nuk ka ajër, nuk ka qetësi” para Kuvendit u protestua kundër importit të mbetjeve të rrezikshme, djegia e të cilave sipas tyre është shkaktare shtesë për ndotjen enorme të ajrit.
Protestuesit kërkojnë që të miratohet Ligji për Ndalimin e Mbeturinave të Rrezikshme para shpërbërjes së parlamentit. Ata kanë dërguar kërkesë për takim me kryeparlamentarin, Talat Xhaferin, me qëllim që të marrin sqarim se pse miratimi i një ligji të këtillë gjithmonë anulohet.
“T’i motivojmë dhe t’ju themi atyre në Kuvend se ka njerëz dhe se interesimi është që të miratohet Ligji Kundër Importit të Mbetjeve të Rrezikshme dhe nuk na duhen më shumë mbeturina në shtet.”,- tha Tijana Pavllova nga Iniciativa “E premtja për ardhmërinë e Shkupit”.
“Masat që duhet t’i ndërmarrë kjo qeveri, nuk i ka ndërmarrë as me kërkesë të organizatave joqeveritare, as me kërkesën e opozitës. Këto dy vite e gjysmë që janë në qeveri nuk kanë sjellë asnjë zgjidhje ligjore.”,- u shpreh Biljana Zaturkovska nga VMRO-DPMNE.
Nga LSDM thonë se do e mbështesin projektligjin për menaxhimin e mbeturinave që ka hyrë në procedurën parlamentare.
Por, pr/ligji i dorëzuar nga Ripërtëritja demokratike u tërhoq nga rendi i ditës, pasi është vlerësuar se duhen konsultime shtesë dhe se duhej të kontrollohej nëse Maqedonia e Veriut do të merrte ndalesë për eksportet e mbeturinave nëse do të vendoseshin masa të tilla.
VLORA LATIFI TOPOJANI
