Maqedoni
Importi i mbeturinave të rrezikshme, Nuredini: Nuk do ta shndërrojmë shtetin në deponi. Tanaskovski: Reaguam në kohë, përforcuam kontrollet
31.01.2020 19:02
Ministri i Mjedisit Jetësor, Naser Nuredini, zotohet se nuk do të lejojë që të importohen mbeturina të dëmshme...

Ministri i Mjedisit Jetësor, Naser Nuredini, zotohet se nuk do të lejojë që të importohen mbeturina të dëmshme dhe shteti të shndërrohet në deponi.
Ekzemplaret e dërgesës së ndaluar në kufirin me Bullgarinë janë dërguar për ekzaminim në Qendrën e Kërkimit Mjedisor në Estoni. Rezultatet pritet të jenë të gatshme për 7 deri në 10 ditë.
“Sipas ligjit aktual, në vend është i lejuar vetëm importimi i mbetjeve që mund të përpunohen në mënyrë të sigurt, pa rrezikuar mjedisin jetësor, pa rrezikuar shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Të shfrytëzohet në mënyrë të sigurt si lëndë e parë ose të shfrytëzohet në mënyrë të sigurt si burim energjie. Importi i mbeturinave për deponi nuk lejohet në vendin tonë dhe unë si ministër nuk do të lejoj që shteti ynë të bëhet deponi për mbeturina nga vendet e tjera.”,- deklaroi ministri i MJPH-së, Naser Nuredini.
Autoritetet vërtetojnë se kanë përforcuar kontrollet nëpër dogana.
“Në lidhje me atë çfarë ndodhi në Bullgari, Drejtoria e Doganave reagoi jo për përbërjen e mbeturinave, por në kontekst të asaj se kishin kaluar ditët për lëshim në procedurë tjetër. Për hyrje nga procedura e grumbullimit në një procedurë tjetër doganore, me çka reagoi Dogana.”,- u shpreh drejtori i doganave, Gjoko Tanaskovski.
I pyetur se pse instalimet nuk dërgojnë të dhëna ditore se sa sasi të gazrave të dëmshme prodhojnë në pajtim me ligjin, ministri Nuredini thotë se për fat të keq kemi mbetur pas me ligjin e ri për emetime industriale.
Ai pret që së shpejti ky ligj të implementohet. Inspektorati vërteton se instalimet ndotin në pajtim me parametrat të cilat janë të lejuara.
BELINDA KOKA ADEMI
