Maqedoni
“Eko Guerilla”: Shpallni Sharrin “Park Kombëtar”, mjaft u abuzua
31.01.2020 19:18
Shoqata Ekologjike “Eko Guerilla” kërkon që qeveria të dërgojë sa më shpejt para deputetëve vendimin e ekspertëve...

Shoqata Ekologjike “Eko Guerilla” kërkon që qeveria të dërgojë sa më shpejt para deputetëve vendimin e ekspertëve për të shpallur Malin Sharr “Park kombëtar”.
Vonesat në këtë drejtim i cilësojnë si veprime në dëm të mbrojtës së pasurive natyrore, përfshi edhe mineralet e ndryshme, për interesa të grupeve të caktuara që po shkatërrojnë këtë perlë të natyrës.
Nga “Eko Guerilla” akuzojnë se pikërisht këto grupe, se për interesat e tyre personale financiare pengojnë shpalljen e Sharrit si Park Kombëtar.
“Ne kërkojmë nga qeveria që vendimin e ekspertëve për të shpallur Malin Sharr park nacional ta dërgojë përpara deputetëve në kuvend, me qëllim formalizimin e këtij vendimi si dhe të respektojnë vlerësimet dhe konkludimet e ekspertëve rreth zonimit të brendshëm të parkut… Jemi të informuar se ekziston një formë presioni nga ana e grupeve të interesit që janë përfshirë në ndërtimin e të hidro-centraleve të vogla të subvencionuara nga paratë e taksapaguesve të cilët kërkojnë të pengojnë shpalljen e Malit Sharr Park Nacional deri sa ata të realizojnë projektet e tyre dhe të shkatërrojnë mjedisin dhe lumenjtë e Sharrit.”,- tha Arianit Xhaferi nga “Eko Guerilla”.
Nga Ministria e Ambientit Jetësor kanë theksuar se janë duke punuar për përpunimin e versionit përfundimtar të Studimit për Valorizimin e Malit Sharr dhe harmonizimin me sektorë tjerë të ekonomisë, pylltarisë, energjetikës, turizmit pas çka do të fillojë procedura e shpalljes.
Kohë më parë, ministri për Ambient Jetësor ka deklaruar se Mali Sharr “Park Nacional” do të shpallet në tetor të këtij viti, e për momentin kontestuese janë vetëm 10% e rajonit të mbrojtur.
VISAR SADIKI
