Maqedoni
Sindikatat të ndara për punën e KSE-së, Mizrahi i fton të tejkalojnë mosdakordimet
31.01.2020 19:58
Sindikalistët këmbëngulin se nuk do të heqin asnjëherë dorë nga lufta për të drejtat e punëtorëve...

Megjithatë, edhe në mbledhjen e Këshillit Ekonomiko-Social, u vërejt ndarja që ekziston mes sindikatave për zgjidhje të caktuara ligjore për të cilat nuk mendojnë njësoj.
“Në periudhën e kaluar Këshilli Social - Ekonomik nuk ka funksionuar në pajtim me Ligjin dhe vendimet e rëndësishme ligjore për të drejtat e punëtorëve janë sjellë pa kuorum dhe pa konkluzione. Edhe përkundër kërkesës së KSL-së, pas rritjes së pagës minimale, në rend dite nuk u vu pajtimi për pagat në sektorin publik.”,- tha Bllagoja Ralpovski nga Konfederata e Sindikatave të Lira.
“Këshilli ka funksionuar në rregull në të kaluarën, e këtë e tregon sjellja e ligjeve të rëndësishme siç janë rritja e pagës minimale, shtesat për fëmijë, subvencionimi i rritjes së pagave, por edhe hapja e debatit për Ligjin e ri për Marrëdhënie Pune për inkuadrimin në këtë ligj të më shumë të drejtave për punëtorët.”,- theksoi kryetari i Lidhjes së Sindikatave, Darko Dimovski.
“Nuk guxojmë më të flasim në përgjithësi, për mosrespektimin e të drejtave të punëtorëve, e që punëdhënësi i shfrytëzon ata. Të dilet me emra konkretë e të gjithë të luftojmë kundër tyre.”,- theksoi Angel Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve në RMV.
Ministrja teknike për punë dhe politikë sociale, Rashela Mizrahi, fton palët të dëgjojnë njëra-tjetrën për të tejkaluar mosmarrëveshjet.
“Të gjitha problemet tejkalohen. Në mbledhjen e sotme, kishte një tension të lehtë mes sindikatave dhe pjesërisht punëdhënësve, por nuk besoj se këto probleme nuk mund të tejkalohen.”,- theksoi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Rashela Mizrahi.
Nga Sindikata e Arsimit dhe Shkencës akuzuan shtetin dhe punëdhënësit se po përzihen në organizimin sindikalist.
Kreu i SASHK-ut, Joakim Nedelkovski, solli shembull rastin në Universitetin “Kirili e Metodi”, ku sindikata u formua në mënyrë ekspres vetëm për t’u mundësuar rritja e pagave për 10%.
SEDAT SELIMI
