Botë
Kosovë, më 3 shkurt seanca për votimin e qeverisë Kurti
31.01.2020 20:36
Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka marrë vendim që të hënën më tre shkurt në orën 11 të mbahet seanca për votimin e qeverisë së re...

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, pas mbledhjes së kryesisë u shpreh i bindur se askush nuk mund ta ndalë arritjen e marrëveshjes me LDK-në.
“Bisedimet po vazhdojnë, nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare, por unë jam shumë optimist që marrëveshja do të bëhet dhe askush nuk do të mund ta ndal formimin e qeverisë Kurti të cilën aq shumë janë duke e pritur qytetarët e Kosovës dhe për të cilën kanë votuar ata më 6 tetor.”,- tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
I pyetur lidhur me deklaratat për shkarkimin e tij, ai tha se nuk është koha e shkarkimeve por e emërimeve.
“Unë nuk mendoj që në Kosovë është koha e dorëheqjeve. Unë mendoj që është koha e emërimeve.”,- theksoi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar se seanca e së hënës e Kuvendit të Kosovës është obligim i marrë nga mandatari, Albin Kurti, ndërsa shtoi se vendit i duhet një Qeveri stabile.
“I mbetet spektrit politik që të shohin mundësitë e angazhimeve të përbashkëta në mënyrë që të kemi një qeveri sa më shpejt që të jetë e mundur. Kosovës i duhet një qeveri stabile, efektive, efikase dhe e respektit të vullnetit qytetar, si dhe orientimin euroatlantik.”,- u shpreh presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Mbledhja e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë është thirrur pa marrëveshje përfundimtare mes Vetëvendosjes dhe LDK-së.
Zyrtarë të LDK-së kanë thënë se vazhdojnë të kenë vullnetin për një marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje, por vazhdojnë të insistojnë që posti i kryeparlamentarit t’i takojë kësaj partie.
GYLTENE SINANI
