Botë
Brexit, Britania e Madhe numëron orët për daljen nga BE
31.01.2020 21:00
Sonte në mesnatë për herë të parë në historinë e Bashkimit Evropian një vend anëtar lëshon bllokun...

Britania e Madhe largohet 47 vite pas anëtarësimit. Kryeministri britanik, Boris Xhonson, Brexitin e cilëson si “erë të re” ndërsa në mënyrë të veçantë një orë më herët do t’i drejtohet kombit e më pas në muret e zyrës së tij në Daunin Strit do të paraqitet numërimi i sekondave të daljes nga BE.
Kjo ditë do të shënohet edhe me lëshimin e 3 milion monedhave me mbishkrimin “Paqe, prosperitet dhe shoqëri me të gjitha kombet”. Mëngjesin e sotëm Xhonson e kaloi në shoqërimin e fëmijëve të cilët I parashtruan pyetje të ndryshme.
“Ky është një ekip i rrezikshëm,kjo quhet lobi i fëmijëve, e di që keni pyetje të vështira për mua por a janë nga ju apo mësuesit tuaj.”,- tha kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Xhonson.
Duke valëvitur flamurin e Britanisë se Madhe, deputetët britanikë lëshuan ndërtesën e Parlamentit Evropian. Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Lejen, theksoi se forca BE-së qëndron tek bashkimi.
“Ne duam partneritetin më të mirë të mundshëm me Mbretërinë e Bashkuar, por është e qartë se tani më ka dallime.”,- tha kryetarja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Lejen.
Edhe presidenti i Këshillit të Evropës thekson se BE dëshiron të ketë raporte sa më të afërta me Britaninë e Madhe, por duhet të qartësohet një gjë.
“Sa më shumë që Britania e Madhe të largohet nga standardet e BE-së aq më pak do të ketë qasje në tregun e BE-së.”,- u shpreh kryetari i Këshillit të Europës, Charles Michel.
Xheremi Korbin,lideri i laburistëve thekson që ky hap nuk guxon vendin ta izolojë por Britania edhe më tej duhet të vazhdojë të jetë e hapur me botën.
Pas Brexit-it do të pasojë periudha e ndërmjetësuar ku gjatë vitit do të zhvillohen bisedime për aspekte të ndryshme të cilat kanë të bëjnë me marrëdhëniet mes të dyja palëve ndërsa kyçe do të jetë tregtia për të cilën Britania e Madhe paralajmëron se do të arrihet marrëveshje para fundit të vitit 2020.
Deri atëherë në Britaninë e Madhe vazhdojnë të vlejnë ligjet e BE-së e në veçanti ajo për lëvizjen e lirë.
LEUNORA KALIQI
