Botë
Debat mbi evitimin e punës joprofesionale policore
02.10.2014 17:45
Sfidat aktuale të njësive për kontroll të brendshëm janë temë kryesore të debatit në Shkup, ku marrin pjesë 11 udhëheqës dhe përfaqësues të prokurorive publike nga regjioni...

Për pesë vite me radhë që përfaqësuesit e këtyre vendeve po diskutojnë këto probleme, konstatojnë se të gjithë ndeshen me të njëjtat sfida, siç janë edhe shkeljet e detyrave dhe veprave korruptive nga të punësuarit në Ministritë e Punëve të Brendshme.
Përfaqësuesja e Sektorit për Kontroll të Brendshëm dhe Standarde Profesionale pranë MPB-së të Maqedonisë, Aneta Stançevska, shprehet se në 9 muajt e fundit kanë ndërhyrë në 1116 raste dhe kanë ngritur 12 padi penale kundër 19 të punësuarve për punë të papërgjegjshme dhe joprofesionale të nëpunësve të policisë.
Ajo shton se ky sektor punon drejt përforcimit të punës profesionale të saj.
“Ne bëmë shumë ndryshime në riorganizimin tonë të sektorit, me metodologji, me sistematim e kështu me radhë, ekipim kadrovik të sektorit që të jemi kontroll i fuqishëm i pavarur, i cili do të mund të përgjigjet në çdo rast për të cilin duhet të intervenohet”- deklaroi Aneta Stançevska nga Sektori për Kontroll të Brendshëm-Maqedoni.
Ndërsa Shqipëria, vitet e fundit ka shënuar ulje të përqindjes së punës joprofesionale të policisë. Drejtori i përgjithshëm për kontroll të brendshëm në Policinë shqiptare, Arben Sendo, deklaron se rezultatet e arritura pasojnë pas rritjes së standardeve.
“Numri i shkeljeve vjen në zvogëlim për arsye të rritjes së standardeve të larta, për të qenë pak më i saktë, ne jemi vendi që po shkojmë me shpejtësi drejt integrimit në Evropë dhe drejt standardeve perëndimore më demokratike”- tha Arben Sendo nga MPB – Shqipëri.
Sendo ka deklaruar se pas pesë viteve përvojat që po shkëmbejnë me kolegët e vendeve tjera janë tepër të domosdoshme dhe të dobishme, pasi janë përafruar tepër edhe teknikat legjislative për kontrollin e brendshëm.
Përfaqësuesi i Serbisë, Radovan Neranxhiq, është shprehur se në Serbi, nga viti në vit ka rritje të numrit të padive penale, në të cilat janë të kyçur policët.
Autoritetet thonë se kjo është si rezolutë e forcimit të kuadrit profesional teknik dhe kontrollit të brendshëm. Policët kufitar dhe doganierët i nënshtrohen më së shumti kriminalitetit.
MEFAIL ISMAILI
