Botë

OBSH: Shtetet të përgaditen për virusin e ri korona

01.02.2020 13:04

Organizata Botërore e Shëndetësisë ju ka bërë thirrje qeverive në mbarë botën që të përgatiten për “shpërthime lokale” të virusit të ri korona....

Njoftimi i sotëm vjen pasi autoritetet në Kinë njoftuan se numri i viktimave nga virusi është rritur në 259. Kina ka raportuar po ashtu se janë 11,791 raste të konfirmuara me virusin e ri, duke u shndërruar në shpërthim më të madh sesa ai i virusit SARS më 2002-2003.
 
Më herët gjatë javës, OBSH-ja shpalli emergjencë botërore mbi koronavirusin e ri. Kjo organizatë shprehu shqetësimin se disa raste të raportuara jashtë Kinës me këtë virus, mund të paraqesin raste të transmetimit të virusit nga njeriu në njeri.
 
“Shtetet duhet të përgatiten përimportimin e mundshëm, në mënyrë që të identifikojnë rastet sa më herët që është e mundur që të jenë të gatshme të kontrollojnë shpërthimet e virusit, nëse kjo ndodh”, tha përfaqësuesi i OBSH-së, Gauden Galea.
 
Të paktën 25 shtete kanë raportuar se kanë identifikuar raste të personave të prekur nga virusi i ri, ku kryesisht bëhet fjalë për persona që kanë udhëtuar nga Kina. Ndërkohë Shtetet e Bashkuara kanë shpallur emergjencë të shëndetit publik dhe kanë njoftuar se do t’ua ndalojnë hyrjen në vend të gjithë shtetasve të huaj që së fundmi kanë vizituar Kinën. Administrata amerikane më 31 janar gjithashtu tha se shtetasit amerikanë, që në dy javët e fundit kanë vizituar provincën kineze Hubei, do të futen në karantinë për 14 ditë. Këto masa do të hyjnë në fuqi më 2 shkurt.